Çmimet e naftës po bien - edhe pa Iranin
31 Korrik 2015Edhe pse Irani nuk ka filluar ende të eksportojë naftë në sasi për t'u përmendur çmimi i naftës po bie. Një fuçi prej 159 litrash, kushton sot 55 dollarë, nga 110 dollarë që kushtonte një vit më parë. Ekspertët e lëndëve të para të Commerzbank besojnë se nga mesi i vitit 2016 Irani do të jetë në gjendje të prodhojë rreth gjysmë milion fuçi në ditë. Për krahasim, aktualisht vendet e OPEC-ut prodhojnë më tepër se 30 milionë fuçi në ditë.
Alexander von Gersdorff nga Shoqata e Lëndëve Djegëse thotë se shkaqet për rënien e çmimit të naftës janë më të thella dhe lidhen me rritjen e prodhimit të naftës në SHBA dhe rënien e kërkesës në Kinë, në Brazil apo Rusi. "Në SHBA nxjerrja e naftës ka arritur sërish një nivel shumë të lartë, si në fillim të viteve 70-të" - thotë Alexander von Gersdorff.
Vetëm vitin e kaluar Shtetet e Bashkuara e kanë zgjeruar prodhimin e naftës me rreth 16 për qind, në 516 milionë ton. SHBA është pra pas Arabisë Saudite dhe Rusisë, prodhuesja e tretë më e madhe në botë, edhe pse gati gjysma e sasisë nxirren me procesin e shtrenjtë dhe të diskutueshëm fracking, nxjerrjes së naftës të papërpunuar nga shtresat shkëmbore poroze.
Roli i OPEC-ut
Edhe vendet e OPEC-ut, karteli i shteteve eksportuese të naftës, po ndjek një politikë tjetër. Në të kaluarën vendet e OPEC-ut arrinin që çmimi i naftës në treg të ishte i lartë, sepse vendet anëtare prodhonin më pak nga sa kishin mundësi. Por sot OPEC-u nuk është më aq i rëndësishëm sa më parë, sepse me një prodhim prej 1,7 miliardë tonësh në vit, ato zënë vetëm 40% të prodhimit të naftës në botë.
Megjithatë, OPEC-u luan sipas mendimit të Gersdorff ende një rol të rëndësishëm: "Pikërisht me këtë ofertë shumë të lartë, dhe padyshim shumë të vetëdijshme - OPEC-u po sheh nëse nuk mund nxjerrë nga tregu ofertues të tjerë. Të paktën kështu thonë vëzhguesit, e afërt me të."
Me ofertuesit e tjerë mendohen SHBA. Dikur Arabia Saudite e uli prodhimin e naftës për të stabilizuar çmimin. Sot duke nxjerrë sasi prej dhjetë milionë fuçi në ditë, ajo synon ta ulë çmimin aq shumë sa metoda e fracking që përdorin SHBA dhe Kanadaja të mos ia vlejnë më.
Në perspektivë afatgjatë kërkesa do të rritet
Në uljen e kërkesës për naftë ndikon edhe fakti që shumë vende të industrializuara përdorin teknologji që harxhojnë më pak naftë dhe benzinë. Kështu në Gjermani në gjysmën e parë të vitit 2015 ka pasur një rënie të harxhimit të benzinës në masën 2%. Por kjo nuk ndodh në të gjithë botën.
Sipas ekspertëve në të gjithë botën parashikohet që në 20 vitet e ardhshme do të ketë një rritje të kërkesës për energji në 35 deri 50 përqind. Megjithatë me rritjen e kërkesës lidhet edhe një shumëzim i çuditshëm i rezervave botërore të naftës së papërpunuar. "Është fakt që rezervat e naftës janë vërtetë çdo vit e më të mëdha, pavarësisht konsumit të lartë prej 90 milionë fuçi naftë në ditë në botë dhe jo më pak." - thotë von Gersdorff. Kjo lidhet si me gjetjen e burimeve të mëtejshme konvencionale në Atlantik apo para brigjeve të Afrikës dhe të Amerikës Latine, por edhe me teknologjitë e reja si fracking.