25 vjet Deutsche Welle në shqip
1 Qershor 2017"Programi juaj është si një dritare e hapur që u mundëson shqiptarëve të thithin ajrin perëndimor. Informacionet tuaja janë shumë të vlefshme për ne." Kështu na shkruante një dëgjues në një letër drejtuar redaksisë së programit shqip në Deutsche Welles.
Deutsche Welle filloi të fliste shqip para 25 vjetësh - më 1 qershor 1992. Fillimisht me një emision radiofonik prej 15 minutash që transmetohej me valë të shkurtra. Sot DW ofron në gjuhën shqipe lajme, komente apo informacione përmes internetit dhe televizionit.
Gjermania, Evropa, zhvillimet në botë dhe në Ballkan janë në fokus të informacioneve të Deutsche Welles në gjuhën shqipe.
Në periudhën e luftës në Kosovë, përmes valëve të DW-së përhapeshin edhe njoftime për familjet që ishin shpërndarë si refugjatë. Në periudhën prill-tetor 1999 redaksinë e kanë kontaktuar mbi 800.000 vetë.
Sot kur në Ballkan ndihet rritja e ndikimit të mediave ruse, turke apo arabe në gjuhët e Ballkanit Perëndimor, Deutsche Welle është i vetmi medium nga Evropa Perëndimore, që ofron informacione në gjuhët e rajonit duke shërbyer si korrigjues i rëndësishëm dhe burim i besueshëm informacioni, në vendet që ende karakterizohen nga paqëndrueshmëria dhe tensionet.