A po e inkurajon BE Serbinë të sillet në mënyrë agresive?
8 Dhjetor 2024Republika e Kosovës përjetoi një seri sulmesh në fund të nëntorit. Fillimisht shpërthyen granata dore pranë stacionit policor në Zveçan. Disa ditë më vonë, një granatë dore shpërtheu në bashkinë e Zveçanit. Menjëherë pas kësaj, një shpërthim tjetër dëmtoi një kanal të rëndësishëm uji jo larg qytetit të Mitrovicës, i cili është i rëndësishëm për furnizimin me ujë të banorëve të veriut të Kosovës dhe për ftohjen e termocentralit.
Ende është e paqartë se kush qëndron pas sulmit. Qeveritë e Serbisë dhe Kosovës akuzojnë njëra-tjetrën për përgjegjësi. Por sulmi në kanalin Ibër-Lepenc u dënua nga Bashkimi Evropian si një "sulm terrorist": "Është një akt i neveritshëm sabotimi kundër infrastrukturës kritike civile të Kosovës," tha shefi i politikës së jashtme të BE-së , Josep Borrell.
Kërcënimet e Serbisë pa pasoja
Pavarësisht nga rezultati i hetimeve, mund të thuhet se nga viti 2022 ka pasur një sërë veprimesh dhe kërcënimesh të dhunshme nga Serbia kundër Kosovës. Në shtator të vitit të kaluar, një grup paraushtarak i infiltruar nga Serbia dhe i armatosur me armët e forcave të armatosura serbe sulmoi policët e Kosovës. Një polic dhe tre sulmues u vranë në një "akt terrorist" të dënuar nga BE.
Brukseli kërcënoi me sanksione, por nuk ndërmori hapa të mëtejshëm. Më vonë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq i zhvendosi forcat e tij të armatosura afër Kosovës. Vetëm ndërhyrjet e SHBA-së dhe NATO-s e detyruan Vuçiqin të ndalonte tanket e tij. Një skenar i ngjashëm ka ndodhur edhe në dhjetor 2022.
"Bota Serbe": Një koncept i rrezikshëm
Gjatë ndërmjetësimit të BE-së në mars 2023, Vuçiqi dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti ranë dakord verbalisht për të përmirësuar marrëdhëniet. Në të njëjtën mbrëmje, i pyetur se kur do të nënshkruhet marrëveshja, Vuçiq tha në televizion: "Kam dhimbje të padurueshme në dorën time të djathtë, e unë mund të nënshkruaj vetëm me dorën time të djathtë. Pritet që këto dhimbje të zgjasë edhe në katër vitet e arshshme".
Në maj të vitit 2023, pasuan sulmet serbe ndaj forcës paqeruajtëse të NATO-s, KFOR-it, në të cilat u plagosën 90 ushtarë, disa prej tyre rëndë. Pasi KFOR-i u rrit në gati 5000 ushtarë në fund të vitit të kaluar, dhuna në Kosovë u zvogëlua.
Në qershor të vitit 2024, në Beograd u mbajt një konferencë ndërqeveritare nën udhëheqjen e Vuçiqit me qëllim zbatimin e konceptit "Bota Serbe". Nocioni bazohet në termin "Bota Ruse". "Bota Serbe" është një përshkrim i ri i projektit "Serbia e Madhe" që presidenti serb Slobodan Millosheviq zbatoi gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet 1990, domethënë bashkimin e të gjitha zonave të banuara nga serbët.
Lavdërime nga Presidentja e Komisionit Evropian
Në prill të vitit 2024, komandanti suprem i NATO-s për Evropën, gjenerali amerikan Christopher Cavoli, paralajmëroi urgjentisht për konflikte të reja të armatosura në Ballkanin Perëndimor. Rusia, tha ai, po përdor aktorët serbë për të ndezur tensionet në rajon dhe për t'i kthyer grupet e ndryshme etnike kundër njëri-tjetrit. "Sulmet ndaj policëve të Kosovës dhe grumbullimi i trupave serbe në kufirin me Kosovën veriore përfaqësonin kërcënimin më të madh të dhunës ndërshtetërore që nga fundi i luftës së vitit 1999 dhe demonstruan një nivel shqetësues kërcënimi në rajon," tha Cavoli.
Këto ngjarje nuk u diskutuan gjatë vizitës së Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe bisedës me Vuçiqin në Beograd në tetor 2024. Vuçiç dhe qeveria e tij u lavdëruan dhe u shpërblyen në mënyrë eksplicite: Von der Leyen konfirmoi se Vuçiç kishte bërë një "punë të shkëlqyer" me një " program të shkëlqyer të reformave” dhe paralajmëroi ndihmë financiare për Serbinë në qindra milionë euro. "I dashur Aleksandar," tha von der Leyen, "ju keni treguar se jeni të vendosur të nxisni për reforma, veçanërisht në aspektin e shtetit ligjor dhe demokracisë. Ju keni treguar se fjalët tuaja pasohen nga vepra!"
Raportet ndërkombëtare: Serbia regjim hibrid
Lavdërimet e presidentes së Komisionit të BE-së janë në kontrast të plotë me analizat e shumta të instituteve dhe organizatave joqeveritare të njohura. Sipas Projektit Botëror të Drejtësisë, Serbia renditet e 94-ta midis Beninit dhe Kinës për sa i përket sundimit të ligjit. Të gjitha vendet e krijuara nga shpërbërja e Jugosllavisë, ndër to edhe Kosova, e cila renditet e 58-ta, janë në pozitë më të mirë. Sipas Transparency International, Serbia renditet e 104-ta nga 180 vende në indeksin e korrupsionit. Dhe Human Rights Watch përshkruan një pamje të zymtë të lirisë së medias dhe vëzhguesit e zgjedhjeve i kanë kritikuar zgjedhjet e dhjetorit 2023 - si as të lira dhe as të drejta. Freedom House e ka quajtur prej kohësh regjimin serb "hibrid", do to thotë diçka midis demokracisë dhe autokracisë.
Qeveria serbe aktualisht po merr masa shtypëse kundër shoqërisë civile pas protestave kundër minierave të planifikuara të litiumit dhe rrënimit në stacionin hekurudhor në Novi Sad, në të cilat vdiqën 14 persona. Në të njëjtën kohë, regjimi i Vuçiqit, i cili po reagon gjithnjë e më me nervozizëm nga brenda, po intensifikon në mënyrë dramatike kontaktet me qeveritë e Rusisë, Kinës, Bjellorusisë dhe Iranit në nivel ushtarak, sigurisë, në nivelin politik dhe ekonomik. Duket se mungesa e kritikave nga BE-ja, së bashku me ndihmën e madhe financiare të pakushtëzuar, po arrin pikërisht të kundërtën e qëllimit të dëshiruar, që është qetësimi i Ballkanit Perëndimor.
Pse BE-ja vazhdon të mbështesë Serbinë?
"Siç e dini, Serbia nuk është vetëm një partner strategjik, por edhe një aleat i Rusisë," i tha i besuari më i afërt i Vuçiçit, zëvendëskryeministri Aleksandar Vulin, presidentit rus Vladimir Putin në një takim në Vladivostok në shtator, i cili u sanksionua nga SHBA për afërsinë e tij me Moskën.
Në një intervistë për "Rusia Today" në kuadër të samitit të BRICS, Vulini u ankua edhe për përfaqësuesit e BE-së dhe NATO-s, të cilët vazhdimisht i bënë thirrje qeverisë serbe të mbështesë sanksionet e BE-së kundër Moskës. Megjithatë, Vulini i premtoi audiencës ruse se Serbia nuk do të bënte kurrë një "tradhti të madhe" të tillë. "Jam krenar për marrëdhëniet e mia me Rusinë dhe do të luftoj deri në ditën e fundit të jetës sime për t'i afruar ato".
Që kur kancelari gjerman Olaf Scholz nisi një marrëveshje miliarda eurosh për litium midis Brukselit dhe Beogradit në korrik, gjërat kanë filluar të ziejnë në Ballkanin Perëndimor. Një ish-diplomat gjerman dhe ekspert për Ballkanin, i cili dëshironte të mbetej anonim, tha se BE e sheh tani Ballkanin vetëm si "një rajon nga i cili vijnë kujdestarët" me "burime të tilla si litiumi". "Autokratët si Vuçiq" janë të dobishëm këtu, sepse ata mund të shtyjnë më së miri projektet e diskutueshme vendase si biznesi i litiumit.
Një ekspert për Ballkanin në Universitetin e Gracit, profesor Florian Bieber, komenton në llogarinë e tij X: "Sot, BE dhe Gjermania kanë shkëmbyer demokracinë, shtetin e së drejtës dhe perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit në BE me litium. Në Serbi nuk ka institucione apo media të pavarura, as vend për një shoqëri civile kritike”.
Siç është paralajmëruar, Vuçiq do të takohet me kancelarin Olaf Scholz të martën e ardhshme në Freiberg të Saksonisë. Tema e takimit është "Shfrytëzimi i qëndrueshëm i litiumit".