Arrestimi i marinarëve britanikë në Iran nuk ishte i rastësishëm
5 Prill 2007Sipas logjikës së presidentit iranian gjithçka ka rrjedhur si duhet. 15 marinarët britanikë kanë pranuar se kanë depërtuar në ujërat iraniane prandaj pala iraniane ka patur të drejtën t'i dërgojë në gjyq dhe t'i dënojë për këtë veprim. Lirimi i tyre sipas tij është një gjest i vullnetit të mirë. Me rastin e festës së pashkëve dhe ditëlindjes së profetit Muhamed. Megjithatë kjo aferë nuk ka të bëj asgjë me logjikën, për më tepër ajo është shprehje e gjendjes së tensionuar që po sundon në dhe përreth Iranit. Dhe kjo gjendje nuk është e djeshme.
Me siguri që arrestimi i 15 britanikëve, pikërisht në kohën kur Këshilli i Sigurimit po bëhej gati të ashpërsonte sanksionet kundër Iranit për të bindur Teheranin që të heqë dorë prej politikës së tij bërthamore, nuk ka qenë i rastësishëm. Dhe po ashtu nuk është rastësi që pikërisht tani fillojnë të lëvizin gjërat në aferën e disa iranianëve të arrestuar në Irak. Ndërkohë është liruar një diplomat i rrëmbyer në Irak ndërsa diplomatët iranianë për herë të parë u lejuan të vizitojnë këshilltarët iranian që po mbahen në burg nga amerikanët, po ashtu në Irak. Edhe pse vetë Teherani nuk ka lidhur arrestimin e 15 britanikëve me zënkat bërthamore apo arrestimin e këshilltarëve në Irak siç duket bëhet fjalë për një 'paketë' të vetme.
Kufiri mes Iranit dhe Irakut nuk ka qenë asnjëherë i përcaktuar saktësisht dhe në të kaluarën ai shpesh ka qenë mollë sherri mes Bagdatit dhe Teheranit. Andaj as tani nuk kontribuon asgjë që palët t'i tregojnë njëra-tjetrës të dhëna të marra nga satelitët për të gjetur se kush ka të drejtë. Të dyja palët që prej fillimit të aferës patën futur në lojë shumë emocione e krenari.
Në vend që kriza diplomatike të zgjidhej në qetësi Londra ngriu marrëdhëniet duke mos pranuar asnjë akuzë. Nga ana tjetër Teherani kërcënoi me një proces dhe lejoi qytetarët që të demonstrojnë para ambasadës britanike. Pamje të protestuesve të mllefosur, të cilët kërkonin ekzekutimin e 15 britanikëve me siguri që nuk i sollën simpati Iranit por forcuan paragjykimet. Njëjtë sikur fjalët e forta të përdoruar nga Londra, të cilat shumë iranianëve u kujtuan kohët e pranisë britanike në Iran.
Megjithatë që prej fillimit dihej se të dyja palët ishin të interesuar në gjetjen e një zgjidhje diplomatike sepse një eskalim i mundshëm ushtarak nuk i përshtatej askujt. Siç duket problemi do të zgjidhej më herët sikur Londra të sqaronte thjesht se edhe nëse vërtetë kanë kaluar kufirin, ushtarët këtë nuk e kanë bërë me vetëdije dhe qëllim. Teherani pastaj ose do të pranonte të lironte marinarët ose do të rrezikonte të humbiste edhe simpatitë e fundit jashtë vendit. Në vend të kësaj kishim pa nevojë një krizë dyjavore diplomatike, zgjidhja e së cilës i dhuron pikë presidentit Mahmud Ahamdinexhat. Sido që të jetë mediat britanike veprimet e tij i cilësuan thjesht si një 'teatër'.