Berisha dhe Rama reagojnë pas protestës kundër qeverisë
20 Shtator 2008Parlamenti mbetet fusha kryesore e betejës për opozitën e bashkuar në Tiranë. Duke e shpallur sot këtë kredo, duket se opozita po braktis taktikën e zgjedhur pak ditë më parë: atë të ndërprerjes së çdo marrdhënieje institucionale dhe parlamentare me kryeministrin Berisha për të detyruar atë të japë dorëheqjen për atë që opozita e quan " moszbardhje e qëllimshme e ngjarjes së Gërdecit, mungesë e drejtësisë dhe sigurisë.."
Një ditë pas protestës së djeshme kundër qeverisë, të drejtuar nga opozita e bashkuar, lideri i saj Edi Rama deklaron se opozitarët nuk do të braktisin karriget e tyre në Parlament.
"Do të mbetemi në Parlament, që me zërin e arësyes dhe forcën që na jep mbështetja qytetare të kontribuojmë për një ligj që do të çlirojë Prokurorinë nga kthetrat e politikës dhe trysnia e Berishës që është i dyshuari i madh i shqiptarëve për atë që ndodhi në Gërdec" tha të shtunën Edi Rama.
Për liderin socialist, krahas reformës në drejtësi me rëndesi vitale është edhe hartimi i Kodit të ri elektoral të Shqipërisë
" Opozita ka detyrimin e madh që në këtë Parlament të bëjë kuadrin ligjor për të patur zgjedhje të ndershme dhe të lira, që janë mënyra e vetme për të ndryshuar qeverisjen aktuale," tha lideri i opozitës Edi Rama.
Janë këto arësyet madhore pse opozita nuk e konisderon një dorëheqje të mundshme të Berishës sukses të aksionit të saj politik.
" Ajo është vetëm një mjet për të realizuar qëllimet e opozitës që janë shumë më të mëdha sesa pushteti i një kryemnistri apo disa ministrave që nuk mund të jenë dot shprehës të interesave të njerëzve nëse ata nuk vijnë përmes votës së lirë", theksoi Rama.
Reagimi i kryeministrit Berisha ndaj deklarimve të mësipërme të liderit socialist ka ardhur flakë për flakë. Nga qyteti i Durrësit, ku në paraditen e të shtunës, ai mori pjesë në inagurimin e disa rrugëve ai e krahasoi protestën me një nga shfaqjet e njohura të ish-Kinës komuniste të Mao Ce Dunit.
"Nuk merrem me kinezërira që na kthejnë ne vitin 1967, në kohën e revolucionit kulturor kinez. Në protestën e mbrëmshme pashë vetëm Lej Fena; Lej Fenin Edi Rama, Lej Fenin Ilir Meta... " solli Berisha në kujtesën e shqiptarëve që jetuan periudhën e dashurisë shqiptaro - kineze figurën e Lej Fenit, Heroit të Punës Socialiste, që ra në krye të detyrës.. apo që shtypi rastësisht një kamion....
Zhvillimet e fundit kanë radikalizuar atmosferën politike në Tiranë. Me shumë interes priten rezultatet e ekspertizës së automjetit të të ndjerit Kosta Trebicka, dëshmitarit kyç në hetimet për Gërdecin, e cila po kryhen nga një ekspert i ardhur enkas nga SHBA.