"Bisedime konstruktive" - Irani dhe ShBA shkëmbejnë mendime në Bagdat
28 Maj 2007Irani dhe ShBA i kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike qysh në kohën e revolucionit islamik në vitin 1979, Ambasadori i ShBA, Ryan Crocker, përfaqësoi Uashingtonin në bisedime, ndërsa për Iranin morri pjesë ambasadori Hasan Kasemi-Komi. Të dy diplomatët u takuan në selinë e kryeministrit irakian Nuri al-Maliki. Iraku u përfaqësua nga këshilltari kombëtar për sigurinë, Movafak al Rubaie. Sipas përfaqësuesit të ShBA Crocker bisedimet janë zhvilluar në një atmossferë konstruktive. Zëdhënësi qeveritar irakian e cilësoi takimin si të përzemërt dhe theksoi, se është biseduar vetëm për Irakun.
Pas katër orë bisedimesh Irani dhe ShBA ishin të një mendjeje, se Iraku duhet të stabilizohet, kështu u shpreh diplomati i ShBA, Ryan Crocker. Por propozime konkrete nuk ka pasur. Të dyja palët kanë shkëmbyer mendime lidhur me pozicionet e tyre, Irani ka përsëritur qëndrimin e vet, se ndërhyrja e amerikanëve në Irak, përpara katër vjetësh, ka qenë e pajustifikueshme dhe se ushtarët amerikanë janë pushtues.
Për ShBA do të varet nga qëndrimi faktik i Iranit, sipas ambasadorit Crocker. Tani kemi të bëjmë me fakte dhe jo me parime nënvizoi Crocker: "Unë i kam paraqitur iranianëve pikëpamjet tona konkrete lidhur me qëndrimin e tyre në Irak, e këto janë: mbështetja për milicët, që luftojnë forcat irakiane të rendit si dhe trupat e koalicionit, fakti që shumë lëndë shpërthyese dhe të tjera rezerva municionesh, që përdoren prej këtyre milicëve vijnë nga Irani dhe se duhet t´u jepet fund aktiviteteve të tyre nën drejtimin e gardave revolucionare dhe në këtë drejtim ne duam të shohim faktet."
Më tej Crocker vuri në dukje, se nuk është bsieduar për mundësinë e tërheqjes së trupave të koalicionit. Ai konfirmoi, se në takim është folur vetëm për problemet e Irakut, dhe aspak lidhur me programin e diskutueshëm bërthamor të Iranit. Qëllimi i këtij kontakti të parë zyrtar midis dy shteteve pas 27 vjetësh nuk ka qenë të planifikohet një takim tjetër. Por një gjë e tillë mund të ndodhë më vonë, nëse këtë e dëshiron Iraku.