170510 Ölpest BP
17 Maj 2010Pas disa përpjekjesh të dështuara njoftohet se teknikët ia dolën mbanë që me anë të robotëve nënujorë të fusin në gypat e naftëssjellësit që gjenden në thellësi 1.600 metra, një tub thithës me një diametër prej 15 cm. Me ndihmën e këtij tubi bëhet e mundur, që të paktën një pjesë e naftës të thithet dhe të depozitohet nëpër anije cisternë, tha një zëdhënës i koncernit BP. E paqartë mbetet se sa naftë mund të mblidhet në këtë mënyrë. Maksimalisht 85% thotë qendra e emergjencës.
Gjithësesi, sipas mendimit të ekspertëve, do të duhen ende ditë në mos javë deri sa të çarat në tabanin e detit të mbyllen plotësisht.
Ajo që çudit shumëkënd është që në brigjet e Luizianës, të Misisipit dhe të Alabamës, vazhdon të shihet vetëm pak naftë e përzier me ujin. Shkakun për këtë biologët e konstantuan vetëm para pak ditësh: nën sipërfaqen e ujit u vunë re sasi të mëdha nafte në formë brezash që kanë një gjatë prej rreth 16 km, një gjerësi prej 6 km dhe një lartësi prej 100 metrash. Një nga shkaqet që nën sipërfaqen e ujit janë krijuar breza të tillë nafte mund të jenë kimikatet e përdoruara për të ndërprerë rrjedhjen e naftës dhe për përdorimin e tyre në SHBA ka qëndrime të ndryshme.
Doug Suttles i koncernit BP e mbrojti përdorimin e lëndëve kimike: "Edhe pse në det është derdhur shumë naftë ajo nuk ka pasur shumë ndikim tek brigjet, dhe kjo është pjesërisht meritë e përpjekjeve tona dhe sigurisht meritë e nënës natyrë."
Përparësia e kimikateve është se ato e shpërbëjnë naftën, por toksikologët mendojnë se kimikatet që përdoren për këtë qëllim janë mjaft helmuese. Megjithatë Autoritetet për Mbrojtjen Bregdetare e kanë miratuar përdorimin e tyre. Mary Landers, drejtuesja e misionit pranë Autoritetit për Mbrojtjen Bregdetare thotë: "Ky mjet ndihmës analizohet dhe vëzhgohet prej nesh me rigorozitet."
Deri tani ishte vënë re se përdorimi i kimikateve dhe nafta e shpërbërë nuk kanë pasur pasoja aq të rënda ndaj sistemit ekologjik, sa do të kishte nafta e patrajtuar.
Autor: Klaus Kastan / Pandeli Pani
Redaktoi Eliana Xhani