Tschechien EU Reformvertrag Reax
3 Nëntor 2009Barroso -"shumë i kënaqur" me vendimin e gjykatësve çekë
Vendimi pozitiv i Gjykatës Kushtetuese çeke nuk ishte i papritur për Bashkimin Evropian, megjithatë ai shkaktoi një lloj lehtësimi në Bruksel. Para nisjes për në takimin e nivelit të lartë BE - SHBA në Uashington, Presidenti i Komisionit, Jose Manuel Barroso tha se është "shumë i kënaqur" me vendimin e gjykatësve.
Reforma institucionale ka pasur shumë pengesa që me futjen në përdorim të Konventës Kushtetuese Evropiane para tetë vjetësh. Tani, Marrëveshja reformuese, e cila ndër të tjera do të lehtësojë marrjen e vendimeve dhe do të forcojë rolin e Parlamentit Evropian është vënë në vijë. Jo Leinen, deputet socialdemokrat në Parlamentin Evropian është i kënaqur me vendimin e marrë nga Çekia:
"Kjo ka qenë një lindje e vështirë. c, kaq shumë bllokada..."
...por tani, pas suksesit të referendumit të dytë në Irlandë dhe megjithë taktikën shtyrëse të presidentit të Çekisë skeptik ndaj EU-së, Vaclav Klaus gjithçka mund të zhvillohet shumë shpejtë thotë Leinen.
Komisioni i ri i BE do të krijohet pas ratifikimit të Marrëveshjes së Lisbonës
Koha nuk pret, sepse Komisioni i ri i BE-së nuk është krijuar ende për shkak të shtyrjeve në ratifikimin e Marrëveshjes së Lisbonës. Ekipi i vjetër i kryen detyrat vetëm si i ngarkuar. Tani është e qartë se 27 komisarët e ardhshëm do të mblidhen nën rregullat e Marrëveshjes së Lisbonës, çdo vend anëtar i BE-së do të dërgojë një Komisar ose Komisare. Deputeti liberal i Parlamentit Evropian, Jorgo Chatzimarkakis është i kënaqur që tani çdo gjë është e qartë.
"Tani mund të zhvillohen të gjitha proceset që janë bërë edhe më parë. Për shembull "Hearings", konsultimi i Komisarëve të rinj. Kjo është shumë e rëndësishme në mënyrë që Komisioni i ri të fillojë punën. Sepse tani ekziston një lloj boshllëku. Komisioni i vjetër nuk mund të marrë më nisma, kurse i riu nuk është krijuar ende."
Përveç kësaj mungojnë edhe kandidatët për dy postet më të larta që pritet të krijohen me vënien në jetë të Marrëveshjes së Lisbonës. Një president i përhershëm i Këshillit të BE-së dhe një i ngarkuar i lartë me politikën e jashtme, një lloj "ministër i Jashtëm i BE-së".
Evropa t'i hedhë pas krahëve debatet institucionale dhe konstitucionale
Emra të ndryshëm diskutohen në Bruksel me zë të ulët. E qartë është se favoriti i kryeministrit britanik Gordon Brown, Tony Blair-i, nuk do të marrë aprovimin e kryetarëve të shteteve të tjera të BE-së. Megjithatë Brown-i foli i kënaqur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese Çeke dhe kërkoi për BE-në më shumë politikë të orientuar në tematika:
"Shpresoj që Evropa t'i hedhë pas krahëve debatet institucionale dhe konstitucionale mënyrë që të bëjmë hapa përpara dhe të merremi me temat kryesore të BE-së, të krijojmë vende pune dhe të arrijmë zhvillim, të luftojmë ndryshimin e klimës dhe të krijojmë më shumë siguri për popujt e Evropës."
Autor: Susanne Henn / Bruksel
Redaktoi: Auron Dodi