Cila ishte e reja në shpërthimin e dhunës në Charlottesville
16 Gusht 2017Urrejtja dhe dhuna, që u ushtrua fundjavën e kaluar hapur nga ekstremistë të djathtë në Charlottesville shkaktuan në SHBA dhe në të gjithë botën zemërim. Edhe reagimi publik i Presidentit të SHBA, Donald Trump, të cilin shumë e perceptuan si të vonuar dhe të papërshtatshëm dhe të pamenduar, korri kritika të ashpra.
Përmasat e racizmit, dhunës dhe urrejtjes në thelb nuk janë asgjë e re, thotë Cas Mudde, politolog në "University of Georgia", i cili zhvillon kërkime për ekstremin e djathtë në SHBA dhe në Evropë. Potenciali i dhunës në aktivitete si në "Manifestimin për Bashkimin e të Djathtëve" është përgjithësisht i lartë. Kjo vlen veçanërisht, kur anëtarë të skenës ekstremiste të djathtë bien në kontakt me grupe militante të spektrit të majtë, si për shembull Antifa.
"Një vlerësim i krimeve të ekstremistëve tregon se vetëm në 25 vjetët e kaluara nga dhuna e ekstremistëve të djathtë në SHBA u vranë qindra vetë, midis tyre edhe mbështetës të "White Supremacy", plotëson eksperti për ekstremizmin, Jeff Gruenewald nga Indiana University, i cili është bashkëpunëtor në shoqatën kombëtare për Studimin e Luftimin e Terrorizmit.
Edhe përpjekjet për t'i bashkuar grupimet e ndryshme në spektrin e djathtë ekstremist të politikës, nuk janë të reja, theksojnë ekspertët. Megjithatë ata vënë re tri zhvillime domethënëse, të cilat e dallojnë Charlottesville-n nga ekseset e deritashme të së djathtës.
1. Fuqia e madhe tërheqëse
Në radhë të parë, e djathta ekstreme në Charlottesville arriti që të vendosë komunikimin me grupime të veçanta të lëvizjes. Më parë, përpjekje për të bashkuar qarqe të ndryshme, gjithmonë patën dështuar. "Ishte i mbledhur gati i gjithë spektri i djathtë, gjë që është e pazakontë në SHBA, që neonazistët, anëtarët e Ku Klux Klanit racist dhe lëvizja Identitare të shfaqen së bashku", konstaton Mudde.
2. Një automjet si armë
Së dyti, përdorimi i një arme si instrument dhune duket i ri. "Ithtarët e "White Supremacy" në SHBA tradicionalisht kanë përdorur armët e zjarrit dhe armë të tjera konvencionale, për të vrarë", thotë Gruenwald.
3. Reagim i vonuar i Presidentit
Dhe së treti, të tërheq vëmendjen dhe reagimi i vonuar dhe i dobët i Presidentit Donald Trump ndaj ekseseve të dhunës së djathtë në Charlottesville.
Edhe mungesa e twitterit është mesazh
"Normalisht Presidenti reagon brenda sekondash me fjalë të qarta, kurse tani i duhet kaq shumë kohë", habitet studiuesi i ekstremizmit, Mudde. Nga reagimi i vonuar i tij mund të nxjerrësh të paktën që kjo temë nuk e ngacmon atë, thotë Mudde: "Dhe kjo të tërheq vëmendjen për një burrë, që përndryshe reagon për të gjitha. Çdo sulm i një migranti pa dokumenta ose i një myslimani - dhe ai shkruan brenda minutash një twitter, sepse ndodhia e ngacmon."
Mudde ka pikëpamjen se pas twitterit të Trumpit - ose në këtë rast mungesës së twiterit - nuk kemi një strategji, të menduar më parë nga Presidenti ose nga këshilltarët e tij. Mosreagimi tregon sa i pandjeshëm është Trumpi përballë racizmit. Kjo u bë e qartë që në fushatën e tij elektorale, kur Trumpi shpërndau me twitter përmbajtje raciste.
Persona me botëkuptim radikal të djathtë në Shtëpinë e Bardhë
Që Trump ngurroi në këtë masë që t'i vinte emrin dhunës së djathtë, kjo ka ndoshta edhe shkaqe të tjera. Peter Simi, i cili bën punë kërkimore për ekstremizmin politik në Chapman University, sheh një lidhje edhe në faktin se në Shtëpinë e Bardhë punojnë disa vetë nga spektri ekstremist i djathtë. "Sigurisht që nuk ka nevojë të shkosh shumë larg për të supozuar, se kjo ka luajtur një rol në ngurimin e tij."
Trumpi e shkeli detyrimin për t'u distancuar nga nacionalistët e bardhë. "Si pasojë, këto grupe ndihen të inkurajuara dhe krijojnë përshtypjen se kanë një mik në Shtëpinë e Bardhë", analizon Mudde.