Iran: Depresioni në rritje
4 Shtator 2013Nëse në jetën time nuk ndryshon diçka së shpejti, unë do të largohem nga Irani, - thotë Kaveh, student nga Teherani. "Edhe pse tani kemi një president te ri, - tek i cili shumë shpresojnë se do të sjellë ndryshime, - unë të ardhmen time e shoh edhe më të zezë." 23 vjeçari rrëfen se vuan nga depresioni i rëndë. "Por nuk jam i vetmi. Unë personalisht njoh shumë që vuajnë, nga shtresa dhe mosha të ndryshme. Unë besoj që disa prej tyre as nuk e dinë që e kanë një problem", thotë ai. Se sa njerëz janë prekur në fakt është e vështirë për t'u zbuluar. Shifrat dhe të dhënat ndryshojnë.
Nëse i referohemi ish-punonjësit të Ministrisë Iraniane të Shëndetësisë, Ali Akbar Sajari që është shumë pranë reformatorëve iranianë, numri i atyre që vuajnë nga problemë të shëndetit mendor është në rritje nga viti në vit. Ndërsa nga ana tjetër agjensia gjysmë-zyrtare e lajmeve "Mehr", thotë se aktualisht rreth 40 % e iranianëve janë të sëmurë mendorë. Shifrat të tjera zyrtare janë disi më të ulëta. Në kohën e presidentit tashmë të larguar nga detyra Mahmud Ahmadinexhad, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se pëqindja e iranianëve që vuajnë nga probleme mendore është rritur nga 19 në 23 përqind brenda pak viteve. "Më shumë se gjysma e tyre për shkak të problemeve shoqërore si p.sh. varfëria dhe pabarazia", thotë ish ministri i Shëndetësisë në kabinetin e Ahmadinexhadit, Marzi Dastjerdi për agjensinë e lajmeve 'Ilna'. Më të rrezikuarit janë të rinjtë.
Presioni politik dhe shoqëror
Fakti që politika iraniane po i kushton vëmendje këtij problemi nuk do të thotë që ajo i ka dhënë një zgjidhje. Në fakt, sistemi i Republikës Islamike është bashkëfajtor për dëmtimin mendor të shumë iranianëve, mendojnë ekspertët. Pikërisht në shkolla hidhen themelet për dëmtimet serioze shpirtërore të mëvonshme, - thotë psikoterapistja e fëmijve dhe të rinjve Mojgan Kahen për Deutsche Welle-n. "Në shkollat e Iranit seksualiteti njerëzor trajtohet si një temë e mbushur me mëkat. Rezultati është se shumë prej tyre kanë një marrëdhënie të trazuar me seksualitetin e tyre. Kjo ndikon negativisht marrëdhëniet mes burrave dhe grave."
I gjithë sistemi politik dhe shoqëror vë në presion të rinjtë e vendit, thotë psikoterapistja Kahen. Shembujt janë të shumtë: e drejta për lirinë e shprehjes në Iran është shumë e kufizuar. Sipas organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ata që mendojnë ndryshe arrestohen në Iran. Policia fetare islamike kontrollon mbajtjen e perçeve nga gratë. Argëtimet publike si p.sh. diskot dhe party-t janë të ndaluara. Edhe bashkëjetesa e çifteve të reja pa qenë të martuar është vepër e dënueshme. "Të rinjtë duhet të shtypin me të gjitha mënyrat nevojat e tyre", thotë Kahen. "Kjo mund të jetë një arsye thelbësore për depresion."
Detyrim për jetë të dyfishtë
Shumë të rinj iranianë informohen përmes televizionit satelitor dhe internetit mbi jetën e bashkëmoshatarëve të tyre në pjesë të tjera të botës. Psikologia dhe terapistja familjare Reza Kazemzadeh beson se mospërputhja mes vlerave tradicionale-moraliste të shoqërisë dhe jetesës moderne rëndon veçanërisht brezin e ri. Ata nuk mund të sillen si moshatarët e tyre, sepse i frikësohen ndëshkimeve. "Frika e vazhdueshme i detyron njerëzit të bëjnë vetë-censurë. Ky detyrim është një barrë për jetën shpirtërore të popullit," thotë për Detsche Welle-n, Kazemzadeh.
Në fakt, shumë iranianë të ndodhur nën këtë presion detyrohen të bëjnë një jetë të dyfishtë. "Të gjitha ato që do të donim t'i bënim, i bëjmë fshehtazi brenda 4 mureve të dhomës", tregon studenti Kaveh. "Por çfarë mund të bëjë një tjetër që jeton në një familje konservatore dhe nuk mund të ikë?"
"Unë nuk dua të më quajnë të çmendur"
Presioni shoqëror e politik rëndojnë mbi shumë njerëz në Iran. Përveç kësaj, situata ekonomike është e keqe atje. E në këto kushte gjendja psiqike vetëm rëndohet, -thotë terapistja Kazemzadeh. Kur mungojnë mjetet finaciare pacientët heqin dorë nga psikoterapia. Përveç kësaj për shumë iranianë depresioni është një tabu. Për rrjedhojë sëmundja nuk trajtohet seriozisht dhe shpesh nuk diagnostikohet fare. Shumë prej tyre kanë turp të shkojnë tek terapisti. " Edhe për mua ishte e vështirë ", thotë Kaveh. "Unë nuk dua të tregohem me gisht si i çmendur në lagjen time."
Psikologët iranianë janë të sigurtë: sa kohë që sistemi politik ndërhyn me vlerat e veta tradicionale-konservatore në jetën private të njerëzve, duke bërë presion dhe duke kërcënuar me ndëshkime, numri i të sëmurëve me depresion do të vazhdojë të rritet dhe trajtimi nga terapistët vështirë se do të rezultojë i suksesshëm.