1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Deshifrimi i Kinës: Luftë tregtare në të gjitha frontet

Yuan Dang
21 Tetor 2024

Spirale e tarifave doganore midis Brukselit dhe Pekinit: BE ka vendosur të aplikojë dogana ndëshkuese për automobilët elektrikë kinezë. Kina do të vendosë taksa më të larta për rakinë e produktet e qumështit nga Evropa.

https://p.dw.com/p/4lzyY
Belgjikë - Wang Wentao viziton Komisionin e BE në Bruksel

(Dosje) Negocimi për tarifat ndëshkuese në Bruksel më 19.09.2024
Fotografi: EU/Christophe Licoppe

"Po kalojmë një kohë të vështirë," u ankua presidenti francez Emmanuel Macron gjatë vizitës së tij në panairin e automjeteve në Paris, i cili filloi të hënën (14 tetor). "Tregu europian po tkurret dhe konkurrenca nga Kina është shumë e fortë”. Prandaj, në kohë si këto, është e nevojshme të mbrohemi, për të zbatuar rregulla të drejta. "Nëse prodhues të caktuar në Kinë marrin subvencione, është normale të vendosen tarifa doganore për të kompensuar. Përndryshe, nuk luhet me rregulla të drejta. Dhe ne e mbështesim këtë", tha kreu i shtetit.

Në fillim të tetorit, Komisioni i BE vendosi dogana shtesë për automobilët elektrikë të prodhuar në Kinë. Në votim, Gjermania votoi kundër. Franca, Italia, Holanda dhe shumë vende të Evropës Perëndimore ishin në favor.

Presidenti francez Macron në Motor Show 2024 në Paris: "Tani po kalojmë një kohë të vështirë"
Presidenti francez Macron në Motor Show 2024 në Paris: "Tani po kalojmë një kohë të vështirë"Fotografi: Eliot Blondet/MAXPPP/dpa/picture alliance

Ndërsa Brukseli dhe Pekini vazhdojnë të negociojnë një marrëveshje miqësore sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), spiralja e tarifave vazhdon të rrotullohet. Së pari, Pekini kërkon tarifa shtesë për rakinë e importuar nga BE. Hetimet për subvencionet e BE-së për produktet e qumështit fillojnë këtë javë. Ministria Kineze e Tregtisë thuhet se po heton çmimet e prodhimeve të qumështit Elvir (Francë), Sterilgarda Alimenti (Itali) dhe Friesland Campina (Holandë). Një rastësi?

"Tarifat doganore janë helm"

Automobilët elektrikë "Made in China" kanë potencialin të shkaktojnë një luftë të vërtetë tregtare midis Kinës dhe BE. Një luftë që ekonomia nuk e dëshiron realisht. Të gjithë prodhuesit gjermanë të makinave janë kundër masave ndëshkuese, përfshirë BMW.

Aeroporti i Frankfurtit | Billboard BYD plug-in makinë hibride Model Stamp
Reklamë për kompaninë kineze BYD në Terminalin 1 të Aeroportit të FrankfurtitFotografi: DW

"BMW është pjesë e një rrjeti global të fabrikave të prodhimit të automjeteve, por edhe e pjesëve dhe furnizuesve. Këto pjesë dhe automjetet duhet të tregtohen lirisht," kërkoi Martin Boluk, menaxher i lartë në BMW, të martën në Kongresin gjermano-kinez të automobilave në Mynih. "BMW beson në tregtinë e lirë si një parim themelor dhe nuk mbështet tarifat e BE”.

"Në Gjermani na duhet Kina si furnizues i teknologjisë”, tha Ferdinand Dudenhöffer, drejtor i institutit kërkimor CAR, i njohur si "papa i automobilave” në Gjermani. Nuk është më si më parë, kur prodhuesit gjermanë të makinave transferuan teknologjitë e tyre në Kinë. "Kjo është arsyeja pse bashkëpunimi midis Kinës dhe Gjermanisë është edhe më i rëndësishëm. Dhe tarifat doganore janë helm."

SHBA dhe Kanada: pararojë në tarifat doganore

Pas dyerve të mbyllura, diplomatët kinezë me plotëkuptimin e fjalës nuk dinë ç'të bëjnë. Ata thonë se masat janë të motivuara politikisht dhe nuk përshtaten me globalizimin.BE i futi tarifat doganore sepse SHBA dhe Kanadaja kishin vendosur në verë tarifa doganore shtesë 100% për importet e automjeteve elektrike kineze.

Ferdinand Dudenhöffer
Gjermani Ferdinand DudenhöfferFotografi: Bernd Thissen/dpa/picture alliance

Sfondi: marrëdhëniet politike dhe ekonomike midis Kinës dhe SHBA-së po vuajnë gjithnjë e më shumë nga situata gjeopolitike. Nuk pritet asnjë shtensionim para zgjedhjeve presidenciale në SHBA më 5 nëntor.

Disa këshilltarë politikë në Pekin po përgatiten tashmë për skenarin që ish-Presidenti i paparashikueshëm i SHBA Donald Trump mund të kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Trumpi e kishte demonstruar gatishmërinë e tij për të eksperimentuar me tarifa doganore ndëshkuese kundër pjesës tjetër të botës që gjatë mandatit të tij të parë.

Tani marrëdhëniet tregtare me BE-në janë gjithashtu plotësisht në rrezik. Sipas qarqeve diplomatike, procedura e BE është e padrejtë dhe përmban një sërë gjërash që nuk janë praktikuar askund tjetër. Për shembull, Komisioni i BE kishte marrë në pyetje prodhuesit kinezë të makinave në lidhje me seancën dëgjimore me shkrim mbi sekretet tregtare, siç janë detajet teknike rreth ndërtimit të baterive. Pavarësisht deklaratave dhe dokumenteve të shumta nga prodhuesit, që arrijnë në disa dhjetëra terabajt (TB), Brukseli kishte konstatuar nevojën për të marrë më shumë informacion. Dhe kishte mungesë transparence në përzgjedhjen e prodhuesve evropianë të makinave për krahasimin e kostos. Për shembull, në mesin e të zgjedhurve nuk ishte asnjë prodhues gjerman i automobilëve, vetëm prodhues nga Italia dhe Franca, të cilët kishin vështirësi të mëdha për të mbijetuar në treg.

"Histori të fantazisë"

Negociatorët kinezë u ankuan gjithashtu se pikërisht Tesla, një prodhues amerikan që ka një megafabrikë në Shangai, ishte përjashtuar nga llogaritja e tarifave doganore ndëshkuese. Tesla është prodhuesi më i madh i automjeteve që eksporton automjetet elektrike "Made in China" në Evropë. Vendimi i BE favorizon qartë Teslën ndaj konkurrentëve kinezë - dhe gjithashtu ndaj konkurrentëve gjermanë.

"Ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos vazhdojmë të tregojmë histori të tilla të fantazisë në SHBA: se automjetet nga Kina mund të paralizojnë trafikun në SHBA, për shembull, dhe kjo është arsyeja pse ne duam të bllokojmë teknologjitë kineze," paralajmëron studiuesi gjerman Dudenhöffer. "Është budallallëk dhe na çon në rrugën e gabuar”.

Kompanitë kineze si CATL ose SVOLT, të cilat dominojnë teknologjinë e baterive, nuk do të jenë në gjendje t'i arrijnë brenda natës kompanitë gjermane, thotë Dudenhöffer. "As në plan afatgjatë. Kjo është arsyeja pse kemi nevojë për bashkëpunim. Ne duhet të mësojmë edhe nga Kina."

BYD Paris 2024
Fotografi: Franck Dubray/MAXPPP/dpa/picture alliance

Kompanitë kineze tani po kërkojnë një rrugëdalje për të vazhduar shitjen e automjeteve të tyre elektrike në tregun evropian. Sipërmarrja Geely, e cila në mënyrë demonstrative dërgoi një automobil hibrid me regjistrim kinez në rrugët gjermane me rastin e kongresit të automobilave, ka ambicie më të mëdha.

"Ne nuk kemi ende asnjë objekt të prodhimit të automjeteve elektrike në Evropë," thotë Frank Klaas, kreu i komunikimit në Geely Europe. "Por ne jemi të hapur për qendrat e prodhimit. Ne duam të prodhojmë aty ku shesim," thotë Klaas, "në kontekstin e diskutimeve për tarifat doganore dhe kufizimet e vendosura politikisht, ne me siguri do ta shqyrtojmë këtë."

"Dekodimi i Kinës" është një serial i DW që analizon në mënyrë kritike pozicionet dhe argumentet kineze për çështjet aktuale ndërkombëtare nga perspektiva gjermane dhe evropiane.