1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Do të shkojë çështja "Iran" në Këshillin e Sigurimit?

Birgit Shmajcner6 Mars 2006

35 ambasadorët e Këshillit të Guvernatorëve të autoritetit ndërkombëtar për energjinë atomike do të vendosin sot në Vjenë për përfshirjen ose jo të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në çështjen "Iran"

https://p.dw.com/p/AqfV
Në Vjenë diskutohet mbi Iranin
Në Vjenë diskutohet mbi IraninFotografi: AP

Kjo është tema "5- b" në rendin e ditës, temë që ka zgjuar interesim të jashtëzakonshëm të opinionit. Në këtë pikë do të trajtohet programi atomik iranian. Bazë për diskutime do të jetë raporti i Organizatës për energji atomike i botuar javën e kaluar prej shefit të saj, El Barade, ku shumë qartë thuhet: Irani po bashkëpunon me inspektorët e OKB, por jo sa duhet. Pas tri vite kontrollesh intensive, bashkësia ndërkombëtare ende nuk e ka të qartë në se Irani po e përdor uranin vetëm për qëllime paqësore civile.

Në seancën e fundit në shkurt, Këshilli i guvernatorëve i kësaj organizate ka vendosur që raportin t'ia dërgojë edhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Mirëpo, El Baradei sugjeron që ende të mos ndërmerret asnjë hap për ndëshkimin eventual të Iranit.

Këto katër javë janë një dritare dhe një shans i ri për Iranin për të bashkëpunuar më ngushtë me Organizatën për energji atomike dhe për të zgjidhur problemet kontestuese", theksoi Baradei. Ky muaj kaloi, ndërsa çështjet e hapura mbeten. Inspektorët kanë gjetur gjurmë të pasurimit të uranit. Shpjegimi i Teheranit se këto gjurmë kanë ardhur gjatë transportit prej Pakistanit, nuk mjaftojnë.

Shtrohet pyetja, pse Irani ka planifikuar ndërtimin e dhjetëra mijëra centrifugave, që është shumë më shumë se sa i duhet për furznizim me energji elektrike. Eshtë gjetur edhe një dokument prej 15 faqesh, me shpjegime teknike për ndërtimin e një bombe atomike.

Irani pohon se këto dokumente i kanë dorëzuar tregtarë të panjohur të tregut të zi. Edhe pse pohohet se në këtë plan nuk është nisur asgjë, në perëndim shtohet frika se Irani po vazhdon punimet sekrete në ndërtimin e armëve bërthamore. Ambasadori amerikan në Organizatën e energjisë atomike në Vjenë, Greg Shulte pohon: "Qeveria në Teheran do të duhej t'i nënshtrohet kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare dhe jo të kërcënojë. Ky vend duhet të bëjë të gjitha që janë të mundër për të rifituar besimin".

Perëndimi mendon se kjo mund të ketë vetëm një kuptim: Irani duhet të ndalojë menjëherë pasurimin e uranit. Shefi i ekipit negociator Lirixhani thotë se një gjë e tillë nuk vjen në konsiderim. Ai thotë se qeveria iraniane nuk do të heqë dorë nga programi i saj.

Këshilli i guvernatorëve do të debatojë mbi këtë gjendje, por nuk pritet ndonjë rezolutë e posaçme. Një gjë e tillë mund të vijë prej KS të OKB. Nëse kundër Iranit do të vendosen edhe sanksione, deri tani nuk dihet. Duhet shikuar vetëm përvoja e Koresë veriore. Para tri vitesh, Organizata për energji atomike i ka dorëzuar KS të OKB raporte shqetësuese, por deri sot nuk është marrë ndonjë vendim konkret.