Europa ime: Kujtesa - Njeriu në vend të kombit
11 Mars 2018Gjatë Holokaustit ka pasur „fajtorë polakë, ashtu si edhe fajtorë hebrenj", iu përgjigj kryeministri polak, Mateusz Morawiecki në Konferencën e Sigurisë në Mynih në mes të shkurtit një gazetari. Gazetari kishte rrëfyer për nënën e tij hebreje, që gjatë pushtimit nazist në Luftën e Dytë Botërore ishte denoncuar nga fqinjët e saj polakë, por arriti të arratisej në kohën e duhur. Gati një muaj pas konferencës, fjalët e Morawiecki ende shkaktojnë reagime, jo vetëm në Poloni, por edhe në Europë, Izrael e SHBA.
"Pas Aushvitcit është barbare të shkruash një poezi", shkroi Theodor W. Adorno në vitin 1951. Filozofi i famshëm e relativizoi më vonë dyshimin e tij radikal kundrejt kulturës (e me këtë edhe të gjuhës) në mënyrën e veprimit me mizorinë. Por si duhet të flasim ne për Holokaustin?
Çfarë na thonë fjalët?
Reagimi mediatik për pohimin e Morawieckit e errëson pikërisht këtë problem. Çfarë nocionesh përdorim ne për të raportuar për mizorinë e të shkuarës sonë të afërt? E çfarë kuptojmë ne saktësisht me fjalët që në dukje janë të qarta si „fajtor" dhe „viktimë"?
"Në studimet për Holokaustin ka tre nocione që janë propozuar nga Raul Hilberg: „Fajtori, viktima dhe ata që ndenjën përkrah", nënvizon Prof. Andrzej Żbikowski nga Instituti Historik i Judaizmit" në Varshavë. Portali online „Oko press" e intervistoi historianin me rastin e pohimit të Morawieckit. „Fajtorët kryesisht emërtohen si nazistë", shpjegon Żbikowski, „sipas rasteve edhe përfaqësues të instancave apo shoqatave që bashkëpunuan me nazistët, le të themi ato lituaneze, ukrainase, apo bjelloruse. (…) Hebrenjtë nuk mund të përcaktohen si fajtorë."
Karakteristika bazë e përndjekjes gjenocidale mund të përshkruhet kështu: Ti nuk mund t'i ikësh dot rolit të viktimës. Nëse unë jam përndjekur si „hebre" nga nazistët, kjo e ka vulosur fatin tim. Këtu nuk ndryshon asgjë kolaboracioni. Në rast të kundërt, nëse përndiqem si „komunist", të paktën teorikisht e kam një zgjedhje: Mund të lë mënjanë pikëpamjet e mia, dhe të kem një shans për mbijetesë. Edhe nëse ka fajtorë brenda grupeve të caktuara të viktimave, diskursi historik shkencor ofron instrumente gjuhësorë të diferencuar. Në rastin e kolaboratorëve të nazistëve flitet për shembull për „pushtetin e dirigjuar".
"T'u vësh gjërave emër"
Nuk është e qartë, nëse Morawiecki donte të ngrihej kundër këtij përdorimi gjuhësor apo thjesht të bënte të dukshme mangësitë në dijet e tij. Kësaj i shtohen mungesa e empatisë dhe mbrapshtia politike. Por një trazim i tillë është karakteristik.
Bogusław Chrabota, kryeredaktor i gazetës së njohur "Rzeczpospolita", në një opinion sarkastik shkroi për polakët se ata me shumë dëshirë „i janë futur një gare absurde, në të cilin gjithmonë duan të japin një viktimë (të historisë) po aq të mirë sa hebrenjtë." Sepse në debatin që ndezi kryeministri polak, një pjesë e njerëzve ka qëndrimin se më në fund dikush ka guxim e „u vë gjërave emër". Sipas tyre është i drejtë përcaktimi „fajtorë hebrenj". Sidomos kur mund të flitet edhe për „fajtorë polakë".
Distancë nga gjuha e fajtorëve
Çfarë të bëhet? Pështjellimi mediatik dhe tentativa për ndikim direkt politik për atë se si duhet të flasë një kryeministër polak, qoftë nga Uashingtoni, Tel Avivi apo Berlini amplifikohen nga pushtetmbajtësit në vend dhe sjellin zemërim mes polakëve. Ato e zgavrojnë edhe më shumë besimin e tronditur tek demokracia: Jo vetëm Europa, ekonomia dhe mbrojtja duhet t'i nënshtrohen diktatit të më fortit, por edhe kujtesa. Në vend të reflektimit dhe dialogut, ato kërkojnë polarizimin dhe kursin e konfrontimit. E kjo si nga brenda ashtu edhe nga jashtë: Po mprehen shpatat. Deri më tani për një luftë verbale.
Komenti i Chrabotas është pjesë e një suplementi të fundjavës të "Rzeczpospolita", që kishte në qendër një yll të Davidit, me dy flamuj të lidhur me njëri-tjetrin, një polak dhe një izraelit. Titulli: „Ne jemi populli." Unë personalisht do të shkoja një hap më tej. A kemi ne nevojë ta ndajmë kujtesën sipas përkatësisë etnike? Fajtorët ju kanë marrë viktimave gjithmonë të parën njerëzoren. Pra a nuk rrëfehet mizoria para së gjithash ekzistencialisht? Etiketimi kombëtar, arbitrar ka qenë gjuha dhe në të njëjtën kohë instrumenti i fajtorëve. Ka ardhur koha të distancohemi përfundimisht nga një gjuhë e tillë.
Stanisław Strasburger është shkrimtar dhe menaxher kulture. Romani i tij „Tregtari i historisë" është publikuar së fundmi në gjermanisht. Autori ka lindur në Varshavë dhe jeton në Berlin, Varshavë dhe qytete mesdhetare.