Europol asiston policinë shqiptare në luftën kundër krimit ekonomik e financiar
19 Nëntor 2007Në luftën kundër fenomenit më negativ të shoqërisë shqiptare, korrupsionit dhe kontrabandës, po asistojnë dhe organizmat ndërkombëtare. Në një aspekt të kësaj lufte, atë të krimit ekonomik e financiar mbështetje po jep dhe policia europiane, Europol. Për herë të parë ekspertë të Europolit në luftën kundër krimit ekonomik e financiar po asistojnë ekspertët e kësaj fushe në strukturat e ministrisë së Brendshme në Tiranë.
12 vende këmbejnë eksperiencat
Besnik Muçi, zyrtar i lartë në ministri, në luftën kundër krimit ekonomiko fianciar thotë, se aktiviteti është në zbatim të një marrëveshje strategjike bashkëpunimi që dy institucionet kanë nënshkruar qysh në fillim të këtij viti. Aktiviteti i Tiranës ishte dhe një ballafaqim i eksperiencave mes 12 vendeve te ndryshme, qofshin ato anëtare të BE apo nga vendet e rajonit që e aspirojnë anëtarësimin. Besnik Muçi, duke treguar për angazhimin e strukturave të Ministrisë së Brendshme shqiptare në luftën kundër krimit ekonomik e financiar i referohet të dhënave më të fundit. „Gjatë vitit 2007 autoritetet policore në Shqipëri kanë goditur rreth 40 grupe të krimit ekonomik, ndërkohë që për peirudhën 2004 deri në 2006 janë goditur vetëm 8 të tilla.“
Dokumentimi i rasteve shumë i rëndësishëm
Gjatë aktivitetit të përbashkët të Europol-it dhe ekspertëve të Ministrisë së Brendshme shqiptare u trajtuan mjaft aspekte të përpilimit sa më të saktë të dokumentacionit për rastet e zbuluara ose të goditura të krimit ekonomik, për të lehtësuar gjykimin e tyre nga organet e drejtësisë.