1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fitues i BOBs është një blog iranian

7 Maj 2012

„Dritarja e frikës“: si „Best Blog“ 2012 u vlerësua në Berlin një faqe persisht. Operatori Arash Sigarchi e vë gishtin në plagët e politikës iraniane (mirëpo këtë mund ta bëjë tani vetëm prej mërgimit).

https://p.dw.com/p/14qkF
Iranian women use computers at an Internet cafe in central Tehran, Iran, Monday, Feb. 13, 2012. Many Iranian web users say their access to foreign email services such as Gmail, Yahoo mail and Hotmail appears to have been restored after a four day outage. (Foto:Vahid Salemi/AP/dapd)
Fotografi: AP

"Është absolutisht skandaloze", shkruan Arash Sigarchi në blogun e tij, "dyfish e turpshme për Republikën Islamike të Iranit." Çështja që ndezi zemërimin: një diplomat iranian i rangut të lartë pati ngacmuar seksualisht vajza të reja në Brazil. Në gazetat perëndimore kjo mund të lexohej pa zbukurime, mirëpo Ambasada Iraniane ia uli rëndësinë çështjes si "keqkuptim kulturor". "Regjimi pretendon gjoja se u përmbahet rregullave fetare" shfren më tej Sigarchi, "marrëdhëniet jashtëmartesore konsiderohen si mëkat dhe krim. Dhe tani kjo: të përdhosësh të mitura!"

Vendimi i gjykatës: 14 vjet burg

Histori si kjo, të cilat në mediën iraniane ose nuk paraqiten ose paraqiten ndryshe, gjenden në blogun "Dritarja e frikës", të cilin e përgatit gazetari Arash Sigarchi prej 2008-s nga mërgimi në SHBA, në Uashington, D.C. Katër vjet më parë ai ishte dënuar në Iran me 14 vite burg. Arsyeja: fjalët e tij kritike si gazetar.

Arash Sigarchi i nominuar te BOBs 2012 në kategorinë Best Blog
Arash Sigarchi i nominuar te BOBs 2012 në kategorinë Best BlogFotografi: privat

Në fakt, me ndihmën e avokates së tij, fitueses së Çmimit Nobel Shirin Ebadi, ai arriti ta ulte në tre vjet masën e dënimit, mirëpo pasuan goditje të tjera prapësuese: I vëllai Ashkan humbi jetën në një aksident automobilistik. Së fundi Arash Sigarchi u sëmur gjatë burgimit me kancer. Por ai nuk është dorëzuar. Me gjithë këto ai e ka ruajtur syrin e pagabueshëm, thotë anëtari i jurisë BOBs Arash Abadpour, i cili është vetë nga Irani: "Me gjithë ato që ka kaluar Sigarchi, nuk është bërë emocional si gazetar." Madje (vijon Abadpour) ai është akuzuar njëherë nga disidentë të tjerë, se ka raportuar në mënyrë tepër jokritike ndaj qeverisë. Mirëpo (thotë anëtari i jurisë) ai u përmbahet fakteve.

Njohje me censurën

Kjo është motoja e Sigarchi-t në "Dritaren e frikës" (edhe pse ai u lë vend edhe përvojës e pikëpamjeve të veta). "Por në gjithçka që shfaq, mundohem për fairness, maturi dhe për të vërtetën. Unë jam gazetar dhe gjithçka që shfaq perceptohet si lajm gazetaresk."

Mbledhja e jurisë së BOBs në Berlin.
Mbledhja e jurisë së BOBs në Berlin.Fotografi: DW/Tobias Kleinod

Që donte të shkruante, këtë Arash Sigarchi e dinte qysh herët. Përvojën e parë gazetareske e krijoi kur ishte 15-vjeçar. I lindur në provincën Gilan në veri të Iranit, ai nisi të punonte për një gazetë rajonale dhe u bë kryeredaktor i saj. Mirëpo pastaj u njoh me censurën: Jo gjithçka qe e rëndësishme për të, arrinte ta publikonte atje. Këtu hynin qysh atëherë raporte mbi shkeljet e të drejtave të njeriut nga ana e qeverisë. E çfarë qe më afërmendsh se të shkoje te blogger-ët. Kështu lindi "Dritarja e frikës": "Asokohe e quajta blog-un kështu sepse çdo ditë kur hapja një dritare të re një browser-in tim, hasja lajme të këqija ose frikësuese."

Ndërkohë Arash Sigarchi punon në Uashington, D.C. për stacionin "Zëri i Amerikës". Megjithatë, "Dritaren e frikës" ai vazhdon ta përgatisë.

Autor: Aya Bach / Elert Ajazaj

Redaktoi: Esat Ahmeti