Futboll: Bajerni i Mynihut Kampion i Gjermanisë
9 Maj 2010Me fitoren e titullit kampion për ekipin e Bajernit të Mynihut, dje përfundoi edhe sezoni i 47-të i Bundesligës. Ekipi i trajnerit Louis van Gaal fitoi në Berlin ndaj ekipit Herta me rezultatin 1:3 dhe me këtë e mbylli edhe kryesimin në tabelë me pesë pikë para ekipit numër dy në Bundesligë, Shalke, i cili doli në Mainc pa asnjë gol 0:0. Pas fitores së titullit Kampion, trajneri i Bajernit Louis van Gaal tha i entusiazmuar:
"Kjo është natyrisht e bukur. Unë mendoj se është edhe mënyra se si kemi vepruar për të arritur deri këtu: me një futboll tërheqës, me sulme të mira, më mbrojtje të mirë dhe natyrisht edhe me shumë pikë. Për këtë arsye mendoj se e kemi merituar, dhe unë jam shumë krenar".
Berlini dhe po ashtu Bochumi, i cili humbi me Hanoverin 0:3, largohen nga Bundesliga për sezonin e ardhshëm. Rezultatet e tjera që u arritën ditën e shtunë janë: Nyremberg-Këln 1:0, Bremen-Hamburg 1:1, Mënhengladbah-Leverkuzen 1:1, Frajburg-Dortmund 3:1, Hofenhajm-Shtutgart 1:1 dhe Volfsburg-Frankfurt 3:1. Në krye të tabelës Bajerni arriti për këtë sezon 70 pikë, i ndjekur nga Shalke me 65 pikë dhe në vend të tretë Bremeni me 61 pikë.
Autor: dpa/Mimoza Cika-Kelmendi
Redaktoi: Elert Ajazaj