1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gara olimplike në ujëra të ndotur

Friedel Taube, Rio de Zhanero2 Gusht 2016

Gjiri Guanabara në Rio de Zhanero është vend shkarkimi për ujërat e zeza, mbeturina dhe metale të rënda. Megjithatë aty do të zhvillohen garat olimpike me anijeve.

https://p.dw.com/p/1JZwY
Fotografi: DW/B. Kopsch

Alex Sandro dos Santos jeton prej 40 vjetësh në Tubiacanga në veri të Rio de Zhaneros. Që në moshën dhjetë vjeç ai peshkon në gjirin Guanabara. "Rreth 20.000 peshkatarë ka ende këtu, dhe secili prej tyre ka tre ose katër fëmijë për të ushqyer. Por për shkak të rënies së sasisë së peshkut, asnjë prej tyre nuk mund të jetojë këtu nga peshkimi," ankohet dos Santos dhe thotë se shumë peshkatarë punojnë pjesërisht edhe si kamarierë.

Alex Sandro dos Santos
Alex Sandro dos SantosFotografi: DW/P. Neitzsch

Arsyeja për pakësimin e peshkut janë ujërat e zeza të metropolit që derdhen në këtë gji, saktësisht 18.000 litra në sekondë. Në ujë notojnë edhe mbeturina si shishe plastike, këpucë, dhe madje dehe mobilje. Kudo kutërbon një erë e ndyrë. Por në këtë gji derdhen edhe mbeturinat toksike të rafinerive të naftës dhe sipërmarrjeve të industrisë së rëndë, që gjenden në afërsi. Po ashtu prej dëmtimit të tubacioneve të një naftësjellësi në janar të vitit 2000 në gji dhe në rezervatin natyror me rizoforë u derdhëm më tepër se një milion litër naftë - shumë banorë janë ende duke pritur për kompensim nga sipërmarrja gjysmështetërore e naftës Petrobras.

Sportistët kanë frikë për shëndetin

Shkurt "Guanabara", që do të thotë "Gjoksi i detit", është e kontaminuar nga metalet e rënda dhe nga bakteriet multi-rezistente, e madje jo vetëm uji por edhe lymi i gjirit deri në 32 metra thellësi. Por Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) nuk sheh ndonjë shkak për të mos i zhvilluar garat e anijeve me vela në këtë gji. Shumë sportistë kanë rezerva për të marrë pjesë në gara dhe duan të mënjanojnë kontaktin me ujin. Erik Heil, i cili mori pjesë në një regatë stërvitore në vitin 2015 në këtë gji u kthye në Berlin me infeksione në këmbë dhe në kofshë.

Brasilien Guanabara Bucht Rio de Janeiro
Fotografi: DW/P. Neitzsch

Ekspertët theksojnë se bakteriet në këtë gji mund të shkaktojnë jo vetëm sëmundje lëkure, por edhe sëmundje të tjera. Biologu Mario Moscatelli, i cili ka bërë matjen e dendurisë së bakterive në ujë, thotë se të mundshme janë edhe infektimet me meningit dhe thekson se "sportistët duhet të bëjnë patjetër vaksinat për hepatitin A" para se të nisen për në Rio de Zhanero.

Korrupsion dhe burokraci

Edhe pse qeveria e shtetit federal të Rios ka investuar me ndihmën e Bankës Ndëramerikane të Zhvillimit dhe Agjencisë Japoneze të Zhvillimit në periudhën 1994-2006 më tepër se një miliardë Euro për ngritjen e impianteve të pastrimit të ujërave të zeza dhe në vitin 2013 edhe 200 milionë Euro të tjera po për këtë qëllim nën moton për ta pastruar gjirin me rastin e Lojërave Olmpike, në realitet nuk ka ndodhur asgjë.

Për shkak të korrupsionit dhe të burokracisë shumë tubacione nuk janë lidhur me impiantet e pastrimit dhe ujërat e kanaleve dhe mbeturinat e qytetit vazhdojnë të derdhen të pafiltruara në gji.

Brasilien Urlaubsland Rio de Janeiro Guanabara Bucht
Fotografi: picture-alliance/C. Wallberg

Asnjë përmirësim prej Olimpiadës

"Ne shpresonim se nga Olimpiada gjendja do të përmirësohej disi, por asgjë nuk ka ndodhur", thotë peshkatari Alex Sandro dos Santos. "Shpresat janë zero". Prandaj, ai mendon se është e rëndësishme që peshkatarët ta marrin fatin në duart e tyre. Dos Santos e ka themeluar OJQ-në "Vëzhguesi i peshkut në Guanabara". Ajo tërheq vëmendjen për problemet në gji dhe inkurajon programe alternative për peshkatarët. Pavarësisht mbeturinave, naftës dhe metaleve të rënda një gjë për të është e qartë: "peshku nga ky gji do të vazhdojë të serviret në pjatat e restoranteve." 48-vjeçari është krenar që nuk është sëmurur deri tani dhe shton me të qeshur: peshkun nga gjiri i Guanabaras duhet ta shoqërosh me një birrë të ftohtë.