Gazeta gjermane: "Për herë të parë, Vuçiç nuk di ç’të bëjë"
11 Dhjetor 2024Autori i artikullit, Andrej Ivanji, e hap tekstin në të përditshmen berlineze tageszeitung me një citim të presidentit serb Aleksandar Vuçiç nga profili i tij në Instagram: "Edhe pse mendoni se jam si Asadi, që do të arratisem – nuk jam". Kjo deklaratë "dramatike", sipas Ivanjit, është rezultat i protestave të studentëve. Studentët në Serbi kanë bllokuar mësimin në 33 fakultete në katër qytete universitare të Serbisë. "Numri i tyre është dyfishuar që nga java e kaluar, kur Vuçiçi i tallte dhe i akuzonte studentët se marrin para nga kriminelë vendas dhe të huaj, me qëllimin e vetëm për ta larguar atë nga pushteti".
Gazeta berlineze shkruan se "autokracia pseudostabile e Serbisë, një vend kandidat për anëtarësim në BE, është tronditur befazi, sepse kanë ngritur zërin të rinjtë që më parë konsideroheshin apolitikë".
Sipas artikullit, "për autokratin serb Aleksandar Vuçiç gjithçka ka shkuar mirë për 12 vite. Ai ka shkelur hap pas hapi Kushtetutën dhe ligjet, ka vënë nën kontroll institucionet shtetërore dhe median, dhe ka tentuar t'i mbyllë gojën shoqërisë civile. Me lehtësi ka mposhtur opozitën e ndarë. Protestat sporadike, madje edhe ato masive, i ka neutralizuar me përdorim minimal të forcës. Vuçiç dukej i paprekshëm".
Por, më 1 nëntor ndodhi shembja e çatisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit – ku humbën jetën 15 njerëz. "Pas shokut dhe trishtimit, pasoi zemërimi i shumë qytetarëve. Dy ministra dhanë dorëheqjen, ndërsa 13 persona u arrestuan. Por kjo nuk ishte e mjaftueshme. Motoja "Gjak në duart tuaja" po dëgjohet si thirrje për betejë në të gjithë vendin".
"Vuçiç për herë të parë nuk di çfarë të bëjë"
Demonstratat në Beograd po zhvillohen me moton "15 minuta për 15 viktima", gjatë të cilave u ndërpre qarkullimi. Gjatë njërës prej këtyre aksioneve, disa studentë të Fakultetit të Arteve Dramatike u rrahën nga persona të njohur si anëtarë të SNS, partisë qeverisëse. Si reagim, studentët bllokuan fakultetin e tyre dhe kërkuan arrestimin e sulmuesve. Më pas, bllokada u zgjerua në fakultete të tjera, duke sjellë edhe kërkesa të reja.
Situata ngjan me protestat studentore në Serbi të viteve 1996/1997, që çuan në rënien e Slobodan Millosheviçit, shkruan Ivanji. Ai thekson se mbi një mijë profesorë dhe shkencëtarë kanë nënshkruar një peticion në mbështetje të studentëve, të cilët po mbështeten gjithashtu nga shumë aktorë dhe punonjës të arsimit, ndërsa paralelisht edhe fermerët kanë organizuar protesta sociale.
"Për herë të parë, duket se Aleksandar Vuçiç nuk di çfarë të bëjë", përfundon Andrej Ivanji në artikullin e tij për Tageszeitung