Westerwelle Reporter Iran
20 Shkurt 2011Është një fund fatlum për dy gazetarët gjermanë, të cilët para më shumë se katër muajsh udhëtuan për në Iran me një vizë turistike për të zhvilluar atje intervista. Gjatë qëndrimit në Iran të dy gazetarët patën intervistuar edhe djalin e një iranianeje të dënuar me vdekje për tradhëti bashkëshortore. Pas kësaj interviste autoritetet iraniane vendosën masën e arrestit ndaj dy gazetarëve. Këtë fundjavë më në fund gazetarët u liruan dhe u lejuan të udhëtojnë për në Gjermani kundrejt një dënimi me gjobë për secilin me 35.000 euro. Ministri i Jashtëm Guido Westerwelle, i cili për muaj me radhë është përpjekur për lirimin e dy reporterëve të gazetës bulevardeske "Bild am Sonntag", i shoqëroi ata gjatë udhëtimit për në atdhe me një avion qeveritar që u nis nga Teherani. Pasi u kthye në Berlin Westerwelle u shpreh me pak fjalë falenderimi në adresë të palës iraniane: "Falenderoj kolegun tim iranian, ministrin e Jashtëm Ali Akbar Salehi për angazhimin frytdhënës në këtë çështje."
Gazetarët Marcus Hellwig dhe Jens Koch ishin dënuar me 20 muaj heqje lirie, që më vonë u kthye në dënim me gjobë. Të dy gjermanët kësisoj "kanë përjetuar mëshirën islame" thuhet në argumentimin e vendimit gjyqsor.
Westerwelle: U angazhova për të drejtat e njeriut
Gjatë kësaj vizite të shkurtër në Teheran ministri i Jashtëm Westerwelle zhvilloi bisedime edhe me udhëheqjen iraniane, ndër të tjerë edhe me presidentin Mahmud Ahmadinexhad. Lidhur me këtë temë ministri i Jashtëm nuk pranoi t' i shtroheshin pyetje gjatë prononcimit të tij vetëm tre minuta në selinë e Ministrisë së Jashtme në Berlin. Ndërsa pala iraniane ka theksuar, se Westerwelle kurrësesi nuk ka ardhur në Teheran vetëm për të marrë dy shtetasit gjermanë, vet Westerwelle nuk i kushtoi ndonjë rëndësi të veçantë vizitës së parë qysh prej shtatë vjetësh të një ministri të Jashtëm gjerman në Teheran: "Vizita ime në Teheran (19.02) kishte një arësye të qartë. Kjo nuk ishte një vizitë, në kuadër të së cilës u zhvilluan bisedime të mëdha. Por sa u përket të drejtave të njeriut dhe të drejtave civile, unë i kushtova vëmendje me angazhim në të gjitha bisedimet e madje e theksova këtë në mënyrë të veçantë edhe publikisht në një konferencë shtypi."
Westerwelle dukej që nuk preferonte që qeveria iraniane ta përdorte si sukses propagandistik lirimin e dy gazetarëve gjermanë. Teherani për shkak të programit të diskutueshëm atomik ndodhet nën sanskionet e ashpra politike dhe ekonomike të BE-së, që ndër të tjera ndalojnë edhe kontaktet e niveleve të larta. Përveç kësaj gjatë ditëve të fundit kancelarja Angela Merkel e ka dënuar ashpër ndërhyjen e dhunshme të Teheranit ndaj demonstruesve dhe politikanëve të opozitës. Westerwelle ritheksoi pozicionin gjerman, se njerëzit në shumë vende të Lindjes së Mesme kanë të drejtë të demonstrojnë dhe nuk duhet që lëvizja e tyre të mposhtet me dhunë, por në këtë kontekst ai nuk e përmendi Iranin me emër.
Autor: Bernd Gräßler/ Vilma Filaj-Ballvora
Redaktoi: Bahri Cani