1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjendje e tensionuar në veriun e Kosovës

29 Maj 2023

KFOR bën të ditur, se ka shtuar praninë në katër komunat veriore pas zhvillimeve të fundit. Ndërkohë BE e NATO kanë kërkuar nga Kosova të mos ndërmarrë masa të reja për hyrje me forcë në ndërtesat komunale në veri.

https://p.dw.com/p/4RvZi
Përpjekje e serbëve për të hyrë në komuna
Përpjekje e serbëve për të hyrë në komunaFotografi: Marjan Vucetic/AP/picture alliance

Forcat paqeruajtëse të KFOR-it kanë rrethuar të hënën me pengesa dhe tela me gjemba objektin e komunës në Leposaviq, pas tentimit të banorëve lokalë serbë që të hyjnë në objektin e komunës. Policia ndërhyri me gaz lotsjellës që të shpërndajë turmën. Përfaqësuesit e listës Srpska, i parashtruan  KFOR-it dhe BE-së dy kërkesa në mënyrë që protestuesit serbë të tërhiqen. "Kërkesat tona janë që sherifët  siç e quajnë veten  të paligjshëm, të shkojnë në shtëpitë e tyre dhe t'i udhëheqin të afërmit e tyre. Dhe, të gjitha njësitë speciale në ndërtesën e komunës, përreth komunës, të tërhiqen në jug, sepse ky nuk është stacion policie, është bashki e qytetit", tha Goran Rakiq kryetar I listës Srpska. 

Misioni i KFOR-it në Kosovë përmes një komunikate, njofton se ka shtuar praninë në katër komunat veriore pas zhvillimeve të fundit atje dhe ka kërkuar nga palët të mos nxisin tensione ose shkaktojnë përshkallëzim.  

KFOR ruan godinat në komunat e veriut
KFOR ruan godinat në komunat e veriutFotografi: Bojan Slavkovic/AP/picture alliance

Quint paralajmëron

Ambasadorët e vendeve më të industrializuara QUINT, në Kosovë, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca, Italia dhe  Mbretëria e Bashkuar i janë drejtuar me një thirrje autoriteteve të Kosovës të mos ndërmarrin asnjë masë të re për hyrjen me forcë në ndërtesat e komunave veriore të banuara me shumicë serbe.

Paralajmërimi është i qartë; "veprimet e reja të njëanshme do të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet me vendet e Quintit dhe Bashkimit Evropian. "Quint, dënon vendimin e Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjeve tona të vazhdueshme për përmbajtje. Në këtë kontekst, Quinti dhe Bashkimi Evropian presin që autoritetet e qeverisë së Kosovës të mos ndërmarrin asnjë masë të re për hyrje me forcë në ndërtesat komunale në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan."

Në deklaratën e Quint theksohet më tej, se "kryetarët e zgjedhur duhet gjithashtu të tregojnë përmbajtje dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të demonstruar përkushtimin dhe përgjegjësinë e tyre për të përfaqësuar dhe shërbyer të gjithë pjesëtarët e komuniteteve të tyre”, thuhet në deklaratën e Quintit ku theksohet se "ne i paralajmërojmë fuqishëm të gjitha palët kundër kërcënimeve ose veprimeve të tjera që mund të ndikojnë në një mjedis të sigurt, duke përfshirë lirinë e lëvizjes dhe që mund të nxisin tensionet ose konflikt”.

Shqetësim për sigurinë dhe gjendjen e civilëve

Vendet e Quintit shprehën shqetësimin për sigurinë dhe mirëqenien e civilëve, policëve, pjesëtarëve të EULEX-it dhe KFOR-it, dhe paralajmëruan se "veprimet e reja të njëanshme do të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet me vendet e Quintit dhe BE-në”.

Diplomatët perëndimorë rikujtuan Kosovën dhe Serbinë që duhet punuar së bashku "në hapat e ardhshëm për zbatimin e Marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në shkurt dhe mars të këtij viti, duke përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumcë serbe dhe të marrin pjesë në mënyrë konstruktive dhe të sinqertë në takimet e ardhshme në kuadër të dialogut”.

Tensione në Kosovë
Fotografi: Valdrin Xhemaj/REUTERS

Stoltenberg: Prishtina dhe Beogradi të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-os, Jens Stoltenberg,  tha se ka biseduar me përfaqësuesin e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, lidhur me situatën në veri të Kosovës, pas rritjes së tensioneve atje. "Bisedova me përfaqësuesin e lartë, Josep Borrell, lidhur me Kosovën. Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen tani në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, si rruga e vetme drejt paqes dhe normalizimit. Prishtina duhet të shtensionojë situatën dhe mos të ndërmarrë hapa të njëanshëm, hapa destabilizues. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR do të vazhdojë të ofrojë mjedis të sigurt”, shkroi Stolteberg në Twitter. Ndërsa, shefi i diplomacisë evropiane, Jossep Borrell, tha se mirëpret koordinimin e mirë midis misionit të BE-së në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) me KFOR-in për të ofruar mjedis të sigurt në Kosovë.

Jens Stoltenberg
Jens StoltenbergFotografi: Heiko Becker/REUTERS

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga ana e tij, tha se "i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë”, por shtoi se çdo opsion tjetër do të ishte "mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë ndaj kryetarëve të rinj”. Katër kryetar të rinj të komunave veriore të Kosovës dolën nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat u bojkotuan masivisht nga serbët e veriut.

Von Cramon: Mendoj se jemi në një pikë kruciale

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, vizitoi gjatë fundjavës veriun e Kosovës dhe po ashtu pati takim në Prishtinë me kryeministrin, Albin Kurti. Cramon, tha se me kryeministrin kosovar kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me situatën në veri. "Mendoj se jemi në një pikë kruciale se si të procedohet nëse situata vazhdon kështu. Që të gjithë ne jemi shumë të shqetësuar dhe keni parë deklaratën e fortë nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të QUINT-it, të ambasadës sonë. Pra, mendoj se i gjithë komuniteti ndërkombëtar dënon këtë veprim në mënyrën më të fuqishme të mundshme”, deklaroi Cramon për mediet lokale.

Viola Von Cramon
Viola von CramonFotografi: Office of the EU mission/Kosovo

Grupe serbësh lokalë u përplasën të premten me policinë e Kosovës, e cila ndihmonte kryetarët e rinj të tre komunave të banuara me shumicë serbe të hyjnë në zyrat e tyre. Edhe të hënën, grupe serbësh qëndrojnë të mbledhur para ndërtesave të kuvendeve komunale në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, ndërsa, forca të policisë qëndrojnë pranë ndërtesave të kuvendeve komunale. Përfaqësues të listës Srpska që është partia me e madhe e serbëve të Kosovës, paralajmëroi protesta në rrugë duke kërkuar largimin e siç thonë "njësive speciale nga veriu i Kosovës”. Udhëheqësit e Listës Srpska, kërkuan që Serbia të pezullojë të gjitha negociatat me qeverinë e Kosovës. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, urdhëroi të premten ushtrinë serbe të jenë në gjendje të lartë gatishmërie dhe të lëvizin drejt kufirit me Kosovën.