Gjermani: Stafi tokësor i Lufthansas me grevë 27-orëshe
7 Shkurt 2024Stafi tokësor i shoqërisë kombëtare gjermane të fluturimeve Lufthansas në aeroportet e Frankfurtit dhe Mynihut ka nisur një grevë. Vetëm rreth 10-20% e fluturimeve pritet të kryhen në këto aeroporte. Midis 80 dhe 90% të rreth 1000 fluturimeve të planifikuara për të mërkurën, nuk do të kryhen, për shkak të veprimeve të stafit tokësor.
Qendrat më të mëdha të Gjermanisë për sa i përket vëllimit të pasagjerëve, Frankfurti dhe Mynihu, janë goditur më rëndë. Por edhe Hamburgu, Berlini dhe Dyseldorfi janë aeroporte gjithashtu të prekura.
Lufthansa bëri të ditur që pasagjerët të mos shkojnë në aeroporte për të riprenotuar fluturimet, pasi sportelet e riprenotimit janë pa personel.
Si ndikohen udhëtarët?
Lufthansa thotë se më shumë se 100.000 pasagjerë do të duhet të riplanifikojnë fluturimet e tyre dhe shumica e linjave drejt dhe nga Frankfurti dhe Mynihu do të anulohen.
Biletat e fluturimeve të brendshme gjermane është e mundur të konvertohen në kupona për udhëtim me tren. Fluturimet me bijat e Lufthansas e linjat ajrore të jashtme nuk pritet të preken gjerësisht. Linja Eurowings, p.sh., bijë e Lufthansas, planifikon fluturime të plota.
Shkaku i grevës
Braktisja e punës vjen mes negociatave të pagave të Grupit Lufthansa për rreth 25.000 punonjës në tokë në Deutsche Lufthansa, Lufthansa Technik dhe Lufthansa Cargo.
Stafi refuzoi një ofertë nga punëdhënësit gjatë raundit të dytë të negociatave më 23 janar.
Sindikata Verdi kërkon një rritje 12.5% të pagave për punonjësit, ose të paktën 500 euro më shumë në muaj, për një periudhë 12-mujore. Sindikata kërkon gjithashtu një pagesë të përgjithshme prej 3000 € për të kompensuar efektet e inflacionit.
aud (dw, ag)