Gjermani: Olaf Scholz humb votëbesimin
16 Dhjetor 2024Bundestagu gjerman i hoqi besimin Kancelarit Olaf Scholz. Në votimin e mbajtur pas mocionit të votëbesimit, vetëm 207 deputetë votuan pro, 394 kundër dhe 116 abstenuan. Me këtë rezultat, Scholz nuk mundi ta siguronte shumicën e nevojshme prej 367 votash.
Më parë kancelari socialdemokratOlaf Scholz,kishte parashtruar në Bundestagnjë mocion votëbesimi, me synim që të hapte rrugë për zgjedhjet e reja. Zgjedhjet e reja janë një hap i nevojshëm për të tejkaluar bllokimin politik aktual, argumentoi Scholz. Scholz theksoi rëndësinë e një qeverie të qëndrueshme dhe të bashkuar për të adresuar këto çështje, duke shtuar: "Gjermania ka nevojë për vendime të guximshme, dhe këto mund të merren vetëm me mbështetjen e plotë të qytetarëve tanë për një drejtim të ri politik."
Scholz pranoi se koalicioni tripartiak i qendrës së majtë, i përbërë nga SPD, Të Gjelbrit dhe FDP, kishte qenë sfidues që në fillim. "Ruajtja e këtij koalicioni kërkonte shumë energji, ndërsa përfundimi i tij ishte po aq i vështirë," tha Scholz. Ai kritikoi ish-ministrin e Financave, Christian Lindner (FDP), për bllokimin e reformave thelbësore në ekonomi dhe infrastrukturë.
Kancelari aktual, i cili kandidon sërish në zgjedhjet e shkurtit, premtoi të përqendrohet te reformat e ushtrisë, përmirësimi i infrastrukturës dhe fuqizimi i ekonomisë gjermane. Ai gjithashtu mbrojti një politikë më të hapur integrimi, duke theksuar rëndësinë e fuqisë punëtore të huaj për ekonominë: "Kush jeton, punon dhe flet gjermanisht, duhet të ketë mundësinë të qëndrojë këtu", tha Scholz.
Merz: Sulme të ashpra ndaj Scholz dhe qeverisë
Lideri i opozitës Friedrich Merz, njëherazi sfidanti kryesor i Scholz-it, përdori debatin në Bundestag për të sulmuar kancelarin dhe qeverinë e tij. Merz theksoi se Scholz, në 22 nga 26 vitet e fundit, ka qenë bashkëpërgjegjës për qeverisjen në Gjermani dhe për situatën aktuale të vendit.
Merz kritikoi gjendjen e ushtrisë gjermane, duke theksuar se, pavarësisht fondit shtesë prej 100 miliardë eurosh, Bundeswehri vazhdon të jetë në një gjendje të dobët. "Gjermania nuk mund të përballojë një ushtri në këtë gjendje," tha ai. Ai gjithashtu akuzoi qeverinë për humbjen e konkurrueshmërisë ekonomike dhe përpjekjet e dështuara për një "kthesë epokale"* (Zeitenwende), të cilën e quajti "një epokë pa ndryshim të vërtetë."
Merz akuzoi Scholz për mungesë lidershipi dhe ndikimi në nivel evropian, duke dëmtuar reputacionin e Gjermanisë brenda Bashkimit Evropian. "Ju turpëroni Gjermaninë dhe Evropën me mënyrën se si silleni në Bruksel. Është e turpshme të shohësh një kancelar të Gjermanisë pa vizion dhe pa zë në tryezat ku merren vendimet e mëdha për të ardhmen e kontinentit," tha Merz.
Ai nuk kurseu as kritikën ndaj Ministrit të Ekonomisë, Robert Habeck (Të Gjelbrit), duke argumentuar se masat e propozuara, si ndërrimi i pompave të ngrohjes dhe pajisjeve të tjera me efikasitet energjetik, nuk mjaftojnë për të përmirësuar fuqinë ekonomike të Gjermanisë. "Gjermania ka nevojë për politika që fuqizojnë bizneset dhe qytetarët, jo për masa që rëndojnë mbi ta me rritje taksash dhe rregullime burokratike", tha ai. Të Gjelbrit, përfaqësuar nga kandidati për kancelar Robert Habeck, u shprehën kundër pritshmërive të tepruara për përmirësime të shpejta pas zgjedhjeve të planifikuara për 23 shkurt. Habeck deklaroi se koalicionet e ardhshme do të kërkojnë kompromise të vështira dhe se nuk ka garanci që do të formohet menjëherë një qeveri e re.
Presidenti do të shpërndajë parlamentin
Presidentja e Bundestagut, Bärbel Bas, deklaroi pas shpalljes së rezultatit të votimit nominal se kancelari federal nuk e kishte arritur shumicën e nevojshme prej 367 deputetësh që do t'i shprehnin besimin. Ajo tha se rezultati i votimit do t'i përcillet tani Presidentit Federal, Dr. Frank-Walter Steinmeier. I ciili pritet të shpërndajë parlamentin.
Kërkesa për votëbesim nga Scholz erdhi si pasojë e shpërbërjes së koalicionit qeverisës, pasi partnerët nuk mundën të binin dakord për reformat kryesore. Kjo procedurë mbështetet në nenin 68 të Kushtetutës
Gjermane, i cili përcakton se kancelari mund të kërkojë votëbesimin në Bundestag.
Në historinë e Gjermanisë, votëbesime të ngjashme kanë ndodhur vetëm gjashtë herë, përfshirë rastet e kancelarëve Willy Brandt dhe Gerhard Schröder.
Si nisi kriza qeveritare në Gjermani?
Kriza qeveritare në Gjermani u shkaktua nga mosmarrëveshjet e brendshme në koalicionin tripartiak. SPD dhe Të Gjelbrit kërkonin më shumë investime për tranzicionin energjetik dhe infrastrukturë, duke propozuar ndryshime në "frenën e borxhit" të Kushtetutës, e cila kufizon borxhin publik. FDP, si parti pro-tregut, refuzoi këtë qasje, duke e bllokuar koalicionin. Largimi i Christian Lindner, Ministrit të Financave, ishte pika kulmore që çoi në shpërbërjen e qeverisë. Scholz e akuzoi atë për pengimin e reformave të domosdoshme për ekonominë dhe për të përballuar sfidat si tranzicioni energjetik dhe mbështetja për Ukrainën.
Kriza qeveritare e Gjermanisë ndodh në një kohë kur Gjermania përballet me sfida të mëdha: lufta në Ukrainë, kriza ekonomike, mungesat investimeve në dekadat e fundit në ushtri, infrastrukturë dhe ekonomi, e ka rritur presionin ndaj votuesve gjermanë.