Google Street View rinis fotografimet në Çeki
5 Korrik 2011Kjo lëvizje vjen në një kohë kur Google po e shtrin punën e saj të fotografimit edhe në Bullgari. Kohët e fundit, kompania amerikane dërgoi përfaqësuesit e saj në Sofje, për të diskutuar mbi ruajtjen e të dhënave, dhe duket se takimi ka qenë i frytshëm.
Në shtator të 2010, Google iu refuzua nga autoritetet në Çeki dhënia e lejes për Google Street View,, për të mbledhur imazhe në terren, dhe sidomos nga kamerat që ishin montuar në lartësi të mëdha. Në projektet e fundit, kamerat janë ulur nga 2.7 metra në 2.3, për të mos u dhënë shkas autoriteteve që të kërkojnë ruajtjen e të dhënave dhe adresave.
Praga zyrtare ka imponuar gjithashtu kufizime të reja ndaj kompanisë kaliforniane, me qëllim që të gjejë gjuhën e përbashkët me autoritetet që garantojnë privatësinë dhe respektimin e kuadrit ligjor. "Kjo kompani duhet të jetë plotësisht e përgjegjshme për të siguruar të dhënat dhe që përpunimi i tyre të bëhet në përputhje me rregullat në Çeki” shkroi zyrtarja Hana Stepankova, në një deklaratë të publikuar nga Google
"Kjo kompani mund të kontaktohet në çdo kohë, për shkak të ankesave, çështjeve ligjore apo për të kërkuar fshirjen e fotove të caktuara. Këtyre ankesave do t'u kushtohet vëmendje e plotë brenda 48 orëve. Qytetarët çekë mund të komunikojnë me kompaninë në gjuhën e tyre,” tha Stepankova.
Google gjithashtu, ka pranuar që të ndryshojë politikën e zakonshme, pasi shoferët e kompanisë, do të bëjnë trainime për të evituar shkollat e ndryshme.
Author: Cyrus Farivar / Aurel Boriçi
Redaktoi: Aida Cama