1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Irani i përgjigjet sot ofertës për kompromis

Ulrih Pik21 Gusht 2006

Kapitull i ri në pokerin atomik? Kjo është krejtësisht e mundur. Sepse pritet që Irani të përgjigjet të martën ndaj një oferte për kompromis të pesë fuqive të vetos në KS të OKB-së dhe të Gjermanisë në grindjen atomike. Ato i kanë bërë thirrje në formë ultimatumi Iranit, që të ndërpresë programin e tij për pasurimin e uraniumit.

https://p.dw.com/p/Aqbq
Këshilli i Sigurimit duke votuar për rezolutën mbi Iranin, 31 korrik 2006
Këshilli i Sigurimit duke votuar për rezolutën mbi Iranin, 31 korrik 2006Fotografi: AP

Së fundi dje 21 gusht, Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan i bëri thirrje qeverisë iraniane, që të pranojë ofertën e pesë fuqive të vetos dhe Gjermanisë dhe të lëshojë pe në pokerin atomik. Oferta e gjashtë shteteve nisi në fillim të korrikut. Ajo përmban lëshime ekonomike dhe politike ndaj mullahve. Ndër të tjera ajo përmban premtime për ndihmë për ndërtimin e një reaktori të ujit të lehtë si dhe në zhvillimin e një përdorimi paqësor të energjisë bërthamore: furnizimin e rregullt me shkopinj katodikë uraniumi nga Rusia.

Si kundërpeshë, Irani duhet të shprehë detyrimin për të ndërprerë të gjitha aktivitetet për pasurimin e uraniumit dhe për të bashkëpunuar në mënyrë të plotë me organizatën ndërkombëtare të energjisë bërthamore, IAEA.

Një ofertë me perspektivë për të ardhmen, deklaroi ministri i jashtëm Frank Valter Steinmeier me vështrim drejt Teheranit: "Dua të shpresoj shumë, se edhe atje ekziston në mënyrë të mjaftueshme interes dhe arsye, për të mënjanuar një shkallëzim të këtij konflikti dhe për të kërkuar së bashku me ata, të cilët mbajnë përgjegjësi për këtë propozim, një zgjidhje diplomatike."

Por kur qeveria iraniane, me sa duket pak me guxim deklaroi se do t'i lërë vetes deri në datën 22 gusht kohë për të dhënë përgjigje, durimi i shteteve ofruese me mullatë me sa duket u sos dhe gjashtë ministrat e jashtëm e rritën më 12 korrik në Paris presionin ndaj Teheranit. Ata ia kaluan aktin e programit atomik iranian KS të OKB-së dhe ai miratoi më 31 korrik rezolutën 1696- Në të u bëhet thirrje mullahve që deri në datën 31 gusht të ndërpresin pjesët e diskutueshme të programit të tyre atomik. Në rast tjetër, thuhet, mund të vendosen sanksione. Por për këtë do të nevojitet një rezolutë e re.

Se si do të reagojë qeveria e Teheranit të martën ndaj paketës me oferta është e paqartë. Por ajo shpalli se do të paraqesë një përgjigje multidimensionale. Me fjalë të tjera: republika islamike besohet se as e pranon dhe as e kundërshton ofertën, por kërkon negociata të tjera, të cilat, kërkon presidenti i shtetit Mahmud Ahmadinexhad duhet të kryhen gjithmonë në të njëjtin nivel:"Bisedimet duhet të kryhen në një atmosferë korrekte dhe të dyja palët duhet të kenë të drejta të barabarta dhe klima duhet të jetë fair. Nëse atyre u mbushet mendja se mund të na kërcënojnë, duhet të dinë se populli iranian e kundërshton me vendosmëri një klimë të tillë."

Por negociata në të njëjtin nivel nuk mendohet se do të ketë, më tepër një tensionim të ri të situatës, nëse jo një përshkallëzim. Sepse të hënën, udhëheqësi fetar i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei bëri të ditur se vendi i tij do të punojë edhe më tej për programin e tij atomik. Republika Islamike, tha ajatollahu Ali Khamenei, në këtë mënyrë nuk do t'i përmbahet rezolutës së miratuar nga KS të OKB-së dhe do të pasurojë edhe më tej uranium.