260909 iran 3 atom
28 Shtator 2009SHBA-ja, Britania e madhe dhe Franca u shprehën për një provokim të ri të Iranit. Si pasojë për Iranin do të ketë saksione të ashpra. Presidenti Barak Obama tha se ai është i hapur për një dialog thelbësor me Iranin, pavarësisht asaj që ai e cilësoi si “prirje shqetësuese për mashtrime nga Irani” në lidhje me programin e tij bërthamor.
“Në qoftë se ne fillojmë përsëri bisedimet për konfliktin atomik me Iranin, unë dëshiroj t'ju them shumë hapur se SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Rusia, Kina dhe Gjermania kurrë nuk kanë qenë sa sot në një mendje për t'i kujtuar Iranit detyrimet e tij." - tha Obama.
Ai tha se Irani duhet të bashkëpunojë pa kufizime me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike dhe të provojë se impianti i dytë që po ndërton ka synime paqësore.
Presidenti amerikan tha se gjithë vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit e kanë bërë të qartë se Irani duhet të përmbushë plotësisht detyrimet e tij ose përndryshe do të përballet me sanksione dhe izolim të mëtejshëm. Obama tha se impianti i ri bërthamor i bën edhe më urgjente bisedimet ndërkombëtare me Iranin të planifikuara për të filluar më 1 tetor.
Teherani nuk pranon që bëhej fjalë për një impiant sekret
Impianti i i ri atomik ndodhet në një mal afër qytetit Ghom dhe fillon punën për disa muaj. Teherani e hedh poshtë që kishim të bënim me një impiant sekret. Shefi iranian për bisedimet atomike, Ali Akbar Salehi, deklaroi në televizionin shtetëror se me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike ka tashmë marrëveshje për një inspektim të impiantit:
“Ne e kemi informuar Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike përmes një letre për ndërtimin e impiantit dhe veprojmë plotësisht në përputhje me rregullat. Ne jemi shumë të habitur për reagimet e Perëndimit”.
Konflikti atomik me Iranin tani në një raund tjetër
Ndërkohë që këtë javë pritet takimi për bisedime të reja në Gjenevë, Irani njoftoi se testoi tri raketa me rreze të shkurtër veprimi, një raketahedhës dhe dy raketa me rreze të mesme veprimi me gjatësi deri në 700 kilometra.
Sot u krye edhe testi i një rakete me rreze të gjatë veprimi e tipit Shahab 3. Irani thotë se kjo e fundit ka një distancë veprimi prej 2 mijë kilometrash duke pasur kështu brenda rrezes së veprimit edhe Izraelin dhe bazat ushtarake amerikane.
Sekretari amerikan i mbrojtjes Robert Gejts tha se mashtrimet e Iranit, siç i quajti ai, mund të bëjnë që të vendosen një varg sanksionesh shtesë. Presidenti Barack Obama theksoi edhe një herë se: "Udhëheqja iraniane duhet të vendosë tani. Nëse merr përsipër përgjegjësitë që i takojnë, atëherë mund të gjejë veten në bashkësinë ndërkombëtare. Përndryshe presioni do të rritet edhe më tej dhe regjimi iranian do të vazhdojë të izolohet".
Autor: Monika Manke/Mimoza Cika-Klemendi
Redaktor: Pandeli Pani