1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Irani nuk beson se do të ndëshkohet me sanksione për programin atomik

Gunar Köhne25 Prill 2006

Qeveria e Teheranit nuk pret që KS të OKB-së të vendosë sanksione kundër Iranit. Për këtë ka pak gjasa, u tha presidenti Mahmud Ahmadinexhad gazetarëve të hënën në Teheran. Ky organ pati kërkuar nga Irani që të ndërpresë deri të premten pasurimin e uraniumit.

https://p.dw.com/p/AqeN
Ahmadinexhad thotë se Irani do e përdorë energjinë atomike vetëm për qëllime paqësore
Ahmadinexhad thotë se Irani do e përdorë energjinë atomike vetëm për qëllime paqësoreFotografi: picture-alliance/dpa

Ishte konferenca e dytë ndërkombëtare e shtypit e Mahmud Ahmadinexhadit, që kur mori postin e presidentit në gusht të vitit të kaluar. Por ai, që priti shkarje verbale ose kërcënime kundër perëndimit, u gabua. Kreu i shtetit iranian në vend të kësaj u soll i matur.

Ahmadinexhadi, theksoi karakterin paqësor të vendit të tij dhe se ai nuk ka ç'të fshehë asgjë. Epoka e ndërtimit të bombave atomike ka kaluar, vendit të tij i intereson vetëm përdorimi paqësor i energjisë bërthamore. "Ne jemi që tani një shtet atomik, por ne do ta përdorim teknologjinë tonë atomike vetëm për qëllime paqësore", tha ai. Prandaj ai, Ahmadinexhadi nuk beson që vendin e tij mund ta presin sanksione për shkak të programit bërthamor. Edhe aty "dy ose tri vende" që kanë marrë pozicion veçanërisht "armiqësor" kundër vendit të tij kanë mjaft forcë arsyejeje për të mos e bërë këtë gabim.

KS të OKB-së i kishte caktuar Iranit një afat deri më 28 prill. Deri atëherë Teherani duhet të deklarojë se ka hequr dorë nga pasurimi i uraniumit. Këtë kërkesë ultimative e refuzoi që në fundjavën e kaluar ministri i jashtëm i vendit, Mottaki. Njëkohësisht, Irani shpalli se do të paraqesë tender ndërkombëtar për ndërtuesit e dy centraleve të reja atomike. Të gjitha vendet janë të ftuara të marrin pjesë në tender, tha ambasadori.

Aktualisht Irani po ndërton me ndihmë ruse një central atomik në Busher të Iranit të Jugut. Me Rusinë Irani me sa duket ka rënë dakord parimisht edhe për pasurimin e përbashkët të uraniumit. Të dyja palët kanë nënshkruar një marrëveshje bazë për prodhimin e lëndëve djegëse bërthamore në territorin rus, u tha të shtunën.

Por një deklaratë të ngjashme të dyja vendet e bënë edhe në shkurt. Për më tepër Ahmadinexhadi lëshoi sinjale të tjera në këtë drejtim: "Rusia ka programin e saj të pasurimit, ne kemi programin tonë të pasurimit dhe propozimi rus është bërë gjashtë muaj më parë, kur Irani nuk kishte ende program të pasurimit", tha Ahmadinexhadi. SHBA dyshojnë se Irani përpiqet të fitojë kohë me këto manovra diplomatike. Në fund të fundit, ky vend po punon me shpejtësi të madhe që ta pasurojë vetë uraniumin. Për herë të parë, shkencëtarët iranianë e arritën këtë dy javë më parë.

Mbetet e hapur se cilat pasoja mund të ketë Irani nëse afati i caktuar nga OKB këtë të premte kalon. Ahminexhadi nga ana e tij kërcënoi si pasojë e grindjes për programin e tij atomik se mund të dalë nga Organizata Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore. "Çfarë na sollën më shumë se 30 vjet anëtarësi në këtë organizatë", pyeti ai.

Rusia dhe Kina i refuzojnë masat ndëshkimore ndaj Iranit. Dhe këtyre dy fuqive me të drejtë vetoje u qe drejtuar në radhë të parë konferenca e sotme jo e zakonshme harmonike e shtypit.