Raport befasues i shërbimeve sekrete amerikane
4 Dhjetor 2007Deri tani qeveria amerikane duke përdorur një fjalor të pasur ka përsëritur vazhdimisht rrezikun që i kanosej Lindjes së Afërme e të Mesme nga një bombë atomike iraniane. Sipas kërkimeve të bëra nga mbajtësi i çmimit Pulitzer Seymor Hersh presidenti Bush ka hartuar madje plane lufte kundër Iranit. Ndërsa tani papritur gjithçka ka ndryshuar...
Paralajmërimi i presidentit Bush
Me fjalë energjike presidenti Bush paralajmëronte në tetor se kush dëshëron të parandalojë një luftë të tretë botërore duhet të pengojë Iranin në ndërtimin e një bombe bërthamore: "Po, besoj se ata duan të ndërtojnë një bombë bërthamore dhe është në interesin e globit që t'i ndalojë këto plane iraniane."Nuk kanë kaluar as shtatë javë dhe realiteti është krejt ndryshe. Në një raport të publikuar nga 16 shërbimet sekrete amerikane thuhet se Irani e ka ndaluar programin e tij të armëve bërthamore qysh në vitin 2003. Tonet janë pranë krejt të ndryshme nga ato të përdorura deri tani nga qeveria amerikane.
Shtefen Hadlei (Stephen Hadley), këshilltar për çështjet e sigurisë në Shtëpinë e Bardhë, u përpoq megjithatë të gjente një emërues të përbashkët për informacionet e reja dhe qëndrimin e presidentit Bush. "Presidenti është përpjekur të sensibilizojë opinionin ndërkombëtar për të shtuar më tej trysninë ndaj Iranit që ky të heqë dorë nga programi i tij për pasurimin e uraniumit.
Hadlei është i mendimit se programi iranian është një rrugë për përftimin e materialeve që do t'i mundësonin Iranit ndërtimin e një bombe bërthamore.
Irani nuk ka kompetencat e duhura për armët bërthamore
Irani vërtet vazhdon të punojë për pasurimin e uraniumit me synim shfrytëzimin për qëllime civile të energjisë bërthamore. Por sipas raportit të shërbimeve sekrete edhe nëse do të rifillonte programin e tij të armëve bërthamore deri në vitin 2009 e ndoshta deri në vitin 2015 nuk do të ishte në gjendje të përdorte uraniumin e pasuruar për ndërtimin e një bombe atomike. Në raport shërbimet sekrete shprehin shpresën që Irani nuk ka synime aq të forta sa mendohej deri tani për ndërtimin e armëve bërthamore.
Hadlei vlerëson se Irani e ka ndaluar programin e tij në vitin 2003 në rradhë të parë si pasojë e trysnisë ndërkombëtare. "Kjo tregon se Irani punon sipas parimit kosto-dobishmëri dhe nuk kërkon të sigurojë sa më shpejt të jetë e mundur armë bërthamore pa marrë parasysh pasojat politike, ekonomike dhe ushtarake", thotë ai.
Si duhet të reagojë qeveria e SHBA pas këtij raporti?
Vetëm dy vjet më parë shërbimet sekrete kishin deklaruar se tani nuk do të përkulej përpara presionit diplomatik. Në raportin e fundit thuhet diçka krejt tjetër.
Pas publikimit të raportit të fundit të shërbimeve sekrete qeveria e SHBA duhet t'i drejtojë vetes pyetjen: përse gabojnë shërbimet sekrete në çështje kaq të rëndësishme? Nuk duhet harruar se ato pa të drejtë kishin dyshuar edhe për armë të shfarosjes në masë në Irak. Këshilltari i presidentit Bush për çështjet e sigurisë Stephen Hadley përpiqet të justifikohet: Irani është sipas tij një prej vendeve që arrin t'i mbajë më mirë nga të gjithë të fshehta planet e tij.