1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Irani pa armë atomike?

Georg Schwarte20 Nëntor 2006

Shërbimi sekret amerikan CIA, sipas njoftimeve të shtypit, nuk posedon të dhëna solide për prodhimin e armëve atomike në Iran. Një analizë tepër sekrete e CIA-s kundërshton hipotezat e qeverisë në Uashington për nivelin e programit të bombës atomike.

https://p.dw.com/p/Aqa5
Seymour Hersh
Seymour HershFotografi: AP

Kështu shkruan gazetari i famshëm amerikan Seymour (Simo) Hersh në revistën "The Nju Jorker".

"Akti i ardhshëm" - quhet artikulli i fundit i një prej gazetarëve më të njohur amerikanë. Dhe "Akti i ardhshëm" i Simo Hershit, i cili pritet të publikohet këtë javë në revistën "The Nju Jorker" në të vërtetë është i fuqishëm. Siç duket sipas tij Shtëpia e Bardhë është duke luajtur një lojë të dyfishtë me opinionin sa i përket çështjes së Iranit.

CIA, Shërbimi i Fshehtë amerikan, kështu pohon Hersh, përkundër analizave dhe aktiviteteve intensive të spiunazhit deri tani nuk ka gjetur dëshmi se Irani është duke zhvilluar fshehurazi armë atomike. I pyetur nga moderatori i kanalit televiziv amerikan CNN se sa afër është Irani që të prodhojë një bombë atomike, Hersh është përgjigjur shkurt me fjalët: "Shumë larg".

Qeveria e Bushit, thekson ylli i gazetarisë amerikane, e di një gjë të tillë dhe prapëseprapë refuzon të dhënat e shërbimit të vet të fshehtë në mënyrë që të vazhdojë të mbaj qëndrim të ashpër ndaj Iranit, pa përjashtuar edhe opcionin ushtarak. Shtëpia e Bardhë e kritikoi raportin si "të mbushur me pasaktësi". Hersh është një autor, i cili zakonisht mbështetet në burime te dyshimta vetëm për të justifikuar qëndrimet e veta, sipas qeverisë amerikane. Gazetari i cili zbuloi dikur edhe masakren e luftës në Vietnam, dhe që njoftoi i pari për skandalin e torturave në Abu Graib, u shpreh: "Shtëpia e Bardhë e thotë këtë pas çdo artikulli tim, ky është tashmë qëndrimi i qeverisë.", tha Hersh.

Të dhënat për analizën sipas Hersh janë mbledhur edhe me ndihmën e satelitëve. Rezultati: negativ. Hersh shkruan më tej se një punonjës i lartë i sherbimit sekret jo vetëm që e ka konfirmuar ekzistencën e analizës por ka deklaruar se qeveria mban një qëndrim negativ ndaj ketyre fakteve. Kështu Shërbimi i Fshehtë amerikan e ka bërë të besoj qeverinë e Bushit se informacionet për programin bërthamor iranian mungojnë për shkak se Teherani i kryen në fshehtësi të madhe këto aktivitete. Por pikërisht në këtë, sipas Hersh, siç duket besojnë jo bashkëpunëtorët e CIA-s por pjesëtarët e qeverisë në mesin e tyre edhe zëvendëspresidenti Çeni.

Qëndrimi i ashpër ndaj Iranit përfshirë këtu edhe një aksion ushtarak është edhe më tej një opcion në Shtëpinë e Bardhë, thotë Hersh. Gazetari i famshëm amerikan edhe në dy artikujt e tij të fundit ka njoftuar për planet e përpunuara amerikane të sulmeve kundër Iranit.