Irani pas zgjedhjeve - Arrestohen shumë protestues
14 Qershor 2009Rreth qindra reformatorë janë arrestuar natën duke gdhirë dita e djelë, ndër ta edhe vëllai i ish presidentit, Mohamed Chatami. Kandidati reformator Mir Husein Musavi, i cili sipas rezultateve zyrtare i ka humbur zgjedhjet, nuk e njeh fitoren e Ahmadinexhadit për shkak të parregullsive gjatë votimeve. Mijëra ithtarë të tij, të shokuar fillimisht nga rezultati i zgjedhjeve, dolën të shtunën në mbrëmje nëpër rrugët e Teheranit, për të protestuar kundër rezultatit të zgjedhjeve. Gjatë këtyre protestave pati trazira, më të rëndat që prej zhvillimit të Revolucionit Islamik para 30 viteve. Shumë protestues u plagosën, disa demostrues u arrestuan. Sipas të dhënave zyrtare, Ahmadinexhadi u rizgjodh me 63 përqind të votave. Musavi morri gati 34 përqind. Dy kandidatët e tjerë nuk morrën as tre përqind të votave. Pjesëmarrja në zgjedhje duhet të ketë qenë 85 përqind.
Opozitarët prisnin që zgjedhjet të kalonin në balotazh të premten e ardhshme, për shkak të garës kokë më kokë midis Ahmadinexhadit dhe Musavit. Por, televizioni shtetëror iranian njoftoi rizgjedhjen e Amhadinexhadit. Në një konferencë shtypi, Musavi nuk përdori fjalën "manipulim zgjedhjesh", por tha: "Në bazë të informacioneve të zyrave të mia në të gjitha pjesët e vendit, unë jam fituesi përfundimtar, madje me diferencë të madhe. Përveç kësaj, vëzhguesit tanë janë dëbuar nga shumë qendra votimesh. Zyrat tona të përgatitjes së zgjedhjeve janë sulmuar. Dhe zgjedhësve u janë shpërndarë pak vota."
Në zgjedhjet e mëparshme, para katër vitesh, pati mashtrime masive. Prandaj si Musavi ashtu edhe ish presidenti Rafsanxhani, iu drejtuan të premten udhëheqësit shpirtëror të vendit, Ajatollah Ali Khamenei duke i kërkuar që të kujdeset për zgjedhje të ndershme. Idhtarët e Musavit, patën shpresuar në ndryshimin e politikës.
Çështja më e rëndësishme aktualisht është, si do ta shohin rezultatin e zgjedhjeve qindramijëra ithtarët e Musavit. Nuk mendohet që humbësi gjoja i zgjedhjeve, i cili përkrahet nga të dy ish presidentët, Khatami dhe Rafsanxhani të pranojë pa reaguar rezultatin e zgjedhjeve. Opozitarët flasin për puç të ushtruar nga Ahmadinexhad dhe idhtarët e tij ultrakonservatorë.
Autor : Ulrich Pick / Aida Cama
Redaktoi : Mimoza Cika Kelmendi