Ish-kryeministri portugez, Socrates në shënjestër të drejtësisë
22 Nëntor 2014Ish-kryeministri portugez, José Socrates është arrestuar të shtunën (22.11) pas mbërritjes në aeroportin e Lisbonës. Ai është njëri nga katër të akuzuarit kryesorë, të marrë në arrest në ditët e shkuara, bëri të ditur prokuroria portugeze. Të shtunën ish-kryeministri portugez duhet të përgjigjet para gjykatësit. Hetimet mbi ish-kryeministrin prekin evazionin fiskal, larje parash dhe afera korruptive. Sipas të dhënave të prokurorisë, më shumë se 60 nëpunës të policisë, doganës dhe drejtësisë kanë kryer kontrolle në disa lokalitete njëherësh. Synimi ka qenë mbledhja e të dhënave për tranferta parash me burim të panjohur, ka bërë të ditur prokuroria.
Hetimet trondisin qeverinë
Kjo është procedura e tretë hetimore e një niveli të tillë kaq të lartë, me të cilën përballet Portugalia brenda këtij viti.Në korrik u arrestua ish-drejtori i Bankës Espirito Santo të Portugalisë, Ricardo Salgado, i dyshuar për larje parash dhe mashtrim. Para një jave po ashtu Portugalia u trondit nga një skandal korrupsioni, me pasojë marrjen në arrest të disa funksionarëve të lartë portugezë, të cilët kishin favorizuar investitorë të huaj në marrjen e vizave. Kjo aferë nuk ka kaloi pa lënë gjurmë edhe në qeverinë e vendit, ministri i Brendshëm portugez, Miguel Macedo dha dorëheqjen të dielën e shkuar.
Ish-kryeministri socialist portugez, Socrates ka drejtuar qeverinë e vendit nga viti 2005 deri në 2011. Ai u bë iniciatori i masave jopopullore të kursimit, në kuadër të krizës së euros. Kur parlamenti nuk i dha votëbesimin qeverisë së tij të pakicës për një paketë të katërt kursimesh për stabilizimin e buxhetit të vendit, Socrates dha dorëheqjen.