Johanna Deimel: Kursi i aktual nuk kontribuon për njohje të reja të Kosovës
4 Gusht 2011DW: Si e vlerësoni marrëveshjen e fundit mes KFOR-it dhe përfaqësuesve të Serbisë si dhe reagimin e qeverisë kosovare, ndaj kësaj marrëveshjeje, tani që ajo e ka hedhur poshtë atë?
Deimel: Shpresoj shumë që para së gjithash Thaçi do të jetë më shumë i arsyeshëm, sepse shkallëzimi i ditëve të fundit nuk ka sjellë asnjë hap pozitiv për Kosovën në drejtim të njohjeve të reja të këtij vendi. Kursi i tij aktual është shumë nacionalist dhe ai nuk mund të vazhdojë më me këtë nivel shkallëzimesh.
DW: Kosovën e kanë njohur deri tani 76 shtete, ndër to edhe shumica e vendeve anëtare të BE-së. A nuk mendoni se qeveria e Kosovës është sjellë në përputhje me sovranitetin e një vendi dhe si e vlerësoni qëndrimin e BE-së në këtë çështje?
Deimel: Pikërisht këtu edhe qëndron problemi: për shkak të mosnjohjes së pavarësisë nga ana e pesë vendeve anëtare, BE-ja nuk ka një qëndrim të përbashkët ndaj kësaj çështjeje. Problemi është që sovraniteti i Kosovës nuk shtrihet në tërë territorin e vendin, që ende ekziston Rezoluta 1244 dhe që Serbia në kushtetutë ka shënuar se Kosova ende është pjesë e territorit të saj. Në këtë mënyrë kemi dy kërkesa kundërthënëse mes vete të cilat shikuar nga aspekti legal janë të arsyeshme. Përderisa pjesa veirore e Kosovës mbetet zonë konflikti dhe nuk ka ndonjë marrëveshje të pranueshme edhe për serbët e atjeshëm, kjo pjesë do të mbetet problem.
DW: Qeveria e Kosovës ka reaguar ndaj masave të qeverisë serbe për ndalimin e importimit të mallrave nga ky vend. Mendoni se nuk është legjitim ndalimi i importit të mallrave me vulën e Kosovës, të cilën Serbia nuk e njeh?
Deimel: Qëndrimet e ashpra të palëve tani janë ndeshur mes vete. Bllokada serbe për importin e mallrave kosovare është nga aspekti serb legjitim, por është jolegjitim nga aspekti i Marrëveshjes së CEFTA-s, sepse edhe Kosova është pjesë e kësaj organizate dhe ka kryesuar me të. Pra këtu kemi dy qëndrime të kundërta me njëri-tjetrin.
DW: Si mund të zgjidhet situata e tanishme dhe a kanë perspektivë evropiane këto dy vende?
Deimel: Bashkimi Evropian nuk do të pranojë më vende me probleme territoriale. Kjo është shumë e qartë. Një Qipro të re nuk do të ketë më, pra e përsëris Qipro të re nuk do të ketë. Por mund të gjendet ndonjë modus vivendi, si për shembull marrëveshja e dikurshme mes Gjermanisë Demokratike dhe Gjermanisë Federale. Mund të gjendet një modus vivendi, sipas së cilit konflikti i madh lihet mënjanë, ndërsa zgjidhen probleme të tjera që i kontribuojnë normalizimit të raproteve.
Intervistoi Sasha Bojiq
Redaktoi: B. Cani /V.Filaj-Ballvora