1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kampionia Majlinda Kelmendi për DW shqip: "Dje ishte dita ime"

Dardanie Pajaziti28 Gusht 2013

“Dje ishte dita ime dhe nuk kishte asgjë që të më ndalojë, isha në disponim për luftë dhe e fortë sa fizikisht edhe psikikisht”, shprehet xhudistja Majlinda Kelemendi në një intervistë ekskluzive dhënë DW-së.

https://p.dw.com/p/19Xzd
Fotografi: Reuters

Xhudistja e njohur kosovare Majlinda Kelmendi kësaj radhe përfaqësoi Kosovën në Rio de Zhaniero duke e fituar me plotë meritë “Medaljën e artë” në kategorinë 52 kilogramë. Për Majlindën ishte hera e parë që fitoi medalje në një Kampionat botëror të Xhudos për seniorë. Ajo në finale u ndesh me xhudistën braziliane Erika Miranda, me të cilën veçse njihej kohë më parë ngaqë me të kishte zhvilluar dy luftëra tjera paraprakisht, njërën në Düsseldorf të Gjermanisë dhe tjetrën në Paris gjatë viteve 2010/11. Lufta e fundit të martën (27.08.2013) i solli definitivisht fitoren dhe përfundoi me një bilanc 3:0 për Majlindën.

“Realisht më shumë e gëzuar u ndjeva pas luftës gjysmëfinale, kur mposhta xhudistën japoneze Hashi Moto”- shprehet Majlinda për DW-ën, ngase luftën e fundit në Paris kundër saj, nuk e kishte fituar.

Në bisedë me Deutsche Welle-n Majlinda përshkruan edhe gjendjen e saj para duelit fundit: “Kam pasur bindjen që do të fitoj dhe në mendje e kisha atë, sepse meqë arrita deri këtu në finale, atëherë më duhej patjetër të shkoja deri në fund. Dje ishte dita ime dhe nuk kishte asgjë që të më ndaloj, isha në disponim për luftë dhe e fortë sa fizikisht edhe psiqikisht”.

Në foto: Majlinda Kelmendi dhe presidentja e Kosovës. Atifete Jahjaga
Në foto: Majlinda Kelmendi dhe presidentja e Kosovës, Atifete JahjagaFotografi: picture-alliance/dpa

Majlinda synon medaljen e Lojërave Olimpike

Por ambiciet e Majlindës për fitore të tjera nuk përfundojnë këtu. Ajo planifikon të marrë pjesë në garat e Lojërave Olimpike në Rio de Zhaniero në 2016, ku po ashtu ka për synim të fitoj “Medaljen e artë”. Ajo mendon se deri atëherë do të arrijë të fitojë mjaft përvojë dhe beson fuqimisht se do ta marrë edhe medaljen e lojërave olimpike.

Pas dy javësh pushim, Majlinda në tetorin e këtij viti do të marrë pjesë edhe në një kampionat tjetër në Romë, sepse edhe atje bëhet fjalë për një Kupë botërore, të cilën synon ta fitoj.

Majlinda Kelmendi thotë se që nga mosha e fëmijërisë e kishtë një bindje të tillë se përmes xhudos do të arrintë shumë dhe vërtet i`a doli. Ajo asesi nuk harron t'i shprehë mirënjohjën dhe falënderimin trajnerit të saj Driton Kuka: “Kur njeriu punon dhe ka vullnet gjithçka është e mundshme. Mirëpo, asgjë nuk ishte e lehtë dhe gjitha këto që unë i kam arritur sot, janë falë trajnerit tim Driton Kuka, të cilin e falënderoj jashtëzakonishtë shumë në emrin tim dhe të familjes time”, shprehet ndër të tjera në intervistën ekskluzive dhënë Deutsche Welle-s, kampionia e re botërore, Majlinda Kelmendi.