1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koalicioni anti-Putin takohet në Granada

5 Tetor 2023

Shkëmbim i nevojshëm apo vetëm simbolikë? Krerë të shteteve e qeverive të Komunitetit Politik Europian bisedojnë në Spanjë po nuk priten vendime. Çfarë sjellin takimet e Komunitetit Politik Europian dhe BE?

https://p.dw.com/p/4X94F
Volodymyr Zelenski duke ecur para një pllakati me titullin e konferencës
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski Fotografi: Fermin Rodriguez/AP Photo/picture alliance

Dyfish samite në Granadan spanjolle. Në fillim takohen të enjten (05.10.) 47 krerë të shteveve e qeverive, pa Rusinë dhe Bjellorusinë. Komuniteti Politik Europian u themelua para një viti në Pragë si një aleancë kundër sulmit rus ndaj Ukrainës. Pas kësaj vijon të premten takimi jo zyrtar i 27 vendeve anëtare të BE, që shtyn para vetes një mal me probleme të pazgjidhura, me në krye migracionin.

"Speeddating" politik

Në të dyja samitet nuk priten të merren vendimeve. Sidomos Komuniteti Politik Europian, një bashkësi e lirë e shteteve europiane e inicuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron është një klub pa struktura. Steven Blockmans nga Qendra për Studimet Politike Europiane, CEPS në Bruksel, e vlerëson këtë. Ai i quan takimet që filluan në Pragë e vijuan në Kishinau në qershor 2023 si "speeddating" politik. Pa agjenda, pa detyrime e deklarata, me shumë grupe pune të lirshme, ku krijohen mundësi takimi. Këtu krerë politikë të shteteve të ndryshme që zakonisht shihen rrallë mund të bisedojnë lirshëm, është e mendimit Vessela Tcherneva nga instituti "Këshilli Europian për Politikën e Jashtme në Sofje. "Kjo vlen për 20 vendet që nuk janë vende anëtare, që nuk takohen çdo muaj, si vendet anëtare të BE. Ato kanë nevoje për një forum, ku mund të bisedojnë tema të rëndësishme në nivel në lartë. Prandaj jam e mendimit se ka qenë shumë e vlefshme."

Jo takim mes Azerbajxhanit dhe Armenisë

Për dy palët në konflikt, Azerbajxhanin dhe Armeninë samiti jo zyrtar do të ishte një mundësi e mirë për të gjetur një rrugëdalje nga kriza humanitare në Karabah, ku 120.000 armenë u larguan menjëherë pas pushtimit ushtarak nga Azerbajxhani. Politologu, Steven Blockmans, kujton, se duhen gjetur fjalë të qarta në drejtim të Azerbajxhanit. Grindjet territoriale në Europë nuk duhen zgjidhur me dhunë. Kjo vlen edhe për presidentin Putin dhe presidentin e Azerbajxhanit, Alijev. "Nëse në këtë kontekst Azerbajxhani është i mënjanuar atëherë ka arsye pse është kështu. Të paktën pjesa tjetër e Europës tregon, se është e bashkuar në interpretimin që i bën parimeve të veta themelore." Alijev ka vendosur ndërkohë kundër një takimi me përfaqësues armenë.

Kancelari Scholz rrugës për në Granada - duke ngjitur shkallët në avion
Kancelari Scholz rrugës për në GranadaFotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

A ka diçka më shumë se një foto familjare?

Tema qendrore në takimet e Komunitetit Politik Europian do të jetë sërish gjendja në Ukrainë dhe sulmi rus. Në Granada qëndrojn edhe presidenti ukrainas, Zelenski. Para një viti nga samiti i Pragës u dërgua sinjali i qartë, se Europa qëndron e bashkuar me Ukrainën. Në Republikën e Moldavisë mesazhi ishte, Europa mbështet të gjithë rajonin edhe shtete të kërcënuara si Moldavia. Por çfarë pritet të dalë nga samiti në Granada? "Këtë herë natyrisht në raundin e tretë është pak më e vështirë", është i mendimit politologu, Steven Blockmans në bisedë me DW. "Një foto e madhe familjare nuk do të mjaftojë më për të dërguar një mesazh të fuqishëm. Po bëhet gjithnjë e më e qartë, se janë të nevojshme disa rezultate konkrete nga takimi."

A mund të shpresojë Ukraina për progres në rrugën e anëtarësimit?

Në takimin e tyre në Kiev, ministrat e Jashtëm të BE bënë të qartë, se në cilin drejtim do të shkojë mesazhi i samitit të dyfishtë në Granada. Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock bëri fjalë se zemra e Europës rreh më fort në Ukrainën e sulmuar. "Komuniteti i lirisë" duhet të shtrihet nga Lisbona në Luhansk në Ukrainën lindore, kishte bërë të ditur Baerbock. Në Ukrainë kjo u kuptua si një sinjal se Ukraina i afrohet më shumë fillimit të bisedimeve të anëtarësimit. "Po, unë besoj, dhe është shumë e mundur, që Ukraina merr edhe një datë për fillimin e negociatave në dhjetor", vlerëson Vessela Tcherneva. "Kjo në vijimësi të mbështetjes ushtarake dhe financiare për Ukrainën." Në të dyja samitet do të flitet për Ukrainën, edhe në sfondin e zhvillimeve në Sllovaki, ku ka mundësi të ngjitet në post një kryeministër që mund të bllokojë mbështetjen për Ukrainën, në një kohë që mbështetja nga SHBA mund të pezullohet për shkak të grindjes buxhetore.

Pamje ilustruese e samitit në Granada
Fotografi: Manu Fernandez/AP Photo/picture alliance/dpa

Do të bëhen hapa përpara në politikën e migracionit?

Në samitin e mëpasshëm të 27 vendeve anëtare, kreu i Këshillit të BE, Charles Michel, dëshiron të preken temat strategjike si autonomia europiane, infrastruktura, energjia. Por për shkak të rritjes masive të numrit të migrantëve, jo vetëm Italia kërkon që të ketë konsultime për zgjidhje të shpejta. Këshilltarët e Charles Michel duan të fokusohen tek "dimensioni i jashtëm" i migracionit, pra bashkëpunimi me shtetet e treta si Turqia apo Tunizia, që të pengojnë migrantët në udhëtimin drejt Europës. Por pikërisht gjatë përgatitjeve të samitit erdhi lajmi, se presidenti tunizian, Saied nuk do të zbatojë ujdinë e sapoarritur me BE. BE kishte premtuar ndihma ekonomike si shpërblim për mbajtjen e migrantëve. Kais Saied i hedh poshtë 1,1 miliardët e premtuara si "lëmoshë". Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka qenë mjaft e angazhuar në arritjen e një marrëveshjeje me Tunizinë. Pyetja që shtrohet është si do të reagojë ajo. Pakti i ri i migracionit i BE që përmban procedura të shkurtra të azilit, më shumë dëbime dhe një mekanizëm shpërndarjeje për të gjitha vendet e BE qëndron ende në ajër, sepse Gjermania dhe Italia nuk bien dakord në pika të rëndësishme.

A është BE gati për një raund të ri zgjerimi?

Në samitin e BE, kreu i Këshillit, Charles Michel dëshiron të nxisë diskutimet për reformimin e brendshëm të unionit për ta bërë atë më të aftë para pranimit të premtuar të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si edhe Ukrainës e Moldavisë. Michel në ftesën e dërguar krerëve të shteteve dhe qeverive ka theksuar, se duhet të jemi të qartë për pasojat e e një hapi të tillë për anëtarët e rinj, por sidomos për BE. "Ka rëndësi ekzistenciale që të reflektohet mbi dinamikën e ardhshme të unionit, mbi proceset tona vendimmarrëse krahas çështjeve të tjera për të garantuar edhe më tej suksesin. Bëhet fjalë për pyetje kritike: çfarë bëjmë së bashku; si i marrim vendimet; si i harmonizojmë financat dhe objektivat tona", shtron pyetjet Charles Michel. Diskutimet për efektet e raundeve të zgjerimit për buxhetin europian pritet të jenë të tensionuara. Nëse Ukraina për shembull i bashkohet BE, dhe është vendi më i varfër i Europës, vendet marrëse neto lindore si Hungaria dhe Polonia do të ktheheshin menjëherë në pagues neto.