1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Partia Socialdemokrate - një parti fatkeqe

21 Janar 2018

Socialdemokratët do të negociojnë me Unionin për krijimin e qeverisë. Por askush nuk është i lumtur për këtë. Rezultati mjaft i ngushtë i kongresit është katastrofik për drejtuesit e saj, mendon Sabine Kinkartz.

https://p.dw.com/p/2rGMo
Außerordentlicher SPD-Parteitag Andrea Nahles und Martin Schulz umarmen sich
Fotografi: picture alliance/dpa/K. Nietfeld

Kush do të dijë, se si ndjehet partia SPD, le të hedhë sytë më mirë tek Martin Schulz. Kryetari i partisë është tanimë vetëm një hije e vetvetes. Gati një orë zgjati fjalimi i tij në kongresin e jashtëzakonshëm të partisë në Bonn të dielën (21.01). Një orë, në të cilën nuk u ndje as optimizmi dhe as entuziazmi. Si tek Schulz, ashtu edhe tek 600 delegatët e tjerë. Schulz gjendet me shpatulla pas muri. Ai që erdhi si shpresa e socialdemokratëve, që i vuri ata në një gjendje euforie të papërjetuar prej kohësh, tani është i goditur rëndë dhe të krijon përshtypjen e të pafuqishmit.

Ndryshe Jusot (rinia socialdemokrate, shën. red.), që me "kryengritjen e xhuxhave"-si u ironizua nga disa funksionarë partie-, kërkuan të pengonin një koalicion të ri. Në Bonn ata treguan se sa shokë partie kanë me vete. Gati 44% e delegatëve thanë "Jo", vetëm rreth 56% ndoqën rekomandimin e kryesisë së partisë. Për Jusot dhe kundërshtarët e koalicionit ky rezultat do të jetë një shtysë për të bërë fushatë në bazë në javët e ardhshme. Në fund do të votojnë rreth 450.000 delegatët e partisë për marrëveshjen e negociuar nga SPD për koalicionin.

Andrea Nahles kryetarja më e mirë?

Për partinë dhe lidershipin e saj ky nuk është lajm i mirë. Që tani kalon një vijë ndarëse e thellë mes SPD-së dhe ajo do të thellohet edhe më tej së afërmi. Dy fronte qëndrojnë përballë njëri-tjetrit, me qëndrime komplet të ndryshme. Të dyja palët kanë argumenta të mirë. Por të dyja mbartin edhe rreziqe. Një qeverisje e re me Unionin mund ta nxjerrë në fund edhe më të dobët SPD-në, po ashtu siç mund të dalë nga zgjedhje të reja. Nuk ka NJË zgjidhje të duhur dhe kjo e zhyt gjithnjë e më shumë në dilemë partinë socialdemokrate.

Nëse Martin Schulz do mund ta nxjerrë partinë nga kriza më e thellë në historinë e saj-e për këtë nuk ka dyshim- kjo nuk dihet. Mund t'i besohej ndoshta më shumë Andrea Nahlesit. Në kongresin e partisë në Bonn, kryetarja e grupit parlamentar tregoi pasion, forcë dhe vullnet që nuk e tregoi dot Schulzi. Ajo që ajo tha, mënyra si e tha i bëri delegatët për vete. Kush e di, ndoshta me premtimin e saj për "negociata deri sa të kuisë pala tjetër" ajo arriti t'i bëjë për vete edhe disa të dyzuar të tjerë.

Kinkartz Sabine Kommentarbild App
Sabine Kinkartz

Mes murtajës dhe kolerës

Dhe ata që dyshonin ishin shumë. Ata që janë kundër një koalicioni të ri të madh janë fort të bindur. Por gati në të gjithë partinë koalicioni i madh është kaq i papreferuar, saqë ndoshta askush nuk do votonte me ndjenjë të pastër e pa asnjë hezitim për të. Kush thotë "po", e bën këtë, sepse mendon se një "jo" është zgjidhja edhe më e keqe. Edhe për anëtarët e partisë në fund do të jetë një zgjedhje mes murtajës dhe kolerës.

Por si do të qeverisë një parti e tillë kaq e përçarë? Një parti, ku mosbesimi i bazës ndaj drejtuesve ka marrë gati forma groteske. "Ata atje poshtë", kundër "atyre atje lart" - ky është fronti i dytë që kalon mes për mes partisë. Si do mund kjo SPD të motivojë qytetarët ta votojnë?

Socialdemokratët që u duhet të humbisnin shumë në muajt e fundit, duhet të jenë të kujdesshëm. Ende ata janë "vetëm" fatkeqë. Por po qe se nuk arrijnë ta marrin kthesën mund të bëhen kaq të papreferuar për votuesit, saqë në fund e gjithë partia socialdemokrate do të bëhet e parëndësishme.

 

Ju mund të ofroni mendimin Tuaj në fund të këtij artikulli! Ne ju mirëresim!