1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Portugalia dhe Spanja - Rreziqet e reja iberike

Leo Wieland11 Nëntor 2014

Në Portugali dhe Spanjë në vitin 2015 do të ketë zgjedhje. Që tani ndjehet fryma e ndryshimeve, ndoshta me pasoja fatale.

https://p.dw.com/p/1DlGo
Fotografi: AP

Si "më të mirët e klasës" dhe "nxënës shëmbullorë" janë lavdëruar së fundi qeveritë konservatore të Spanjës dhe Portugalisë nga partnerët e tyre evropianë. Me guxim para tre vjetësh, kur ishin në buzë të falimentimit, ata bënë reforma kursimesh dhe reforma strukturore. Portugezëve iu nevojit një paketë e plotë shpëtimi prej 78 miliardë eurosh, ndërsa spanjollëve vetëm gjysma, 42 miliardë dollarë, për bankat e tyre problematike. Këtë vit tani pas një krize të gjatë pritet shpërblimi i parë i këtyre përpjekjeve. Dhe në fakt ekonomia iberike po rritet sërish, madje mbi mesataren e eurozonës. Deficitet buxhetore janë vënë në një farë mase nën kontroll dhe papunësia ka rënë disi.

Megjithatë jo gjithçka është hare në gadishull. Vitin e ardhshëm do të ketë zgjedhje në të dyja vendet. Që tani ndryshon humori tek popullsia, së cilës si çmim për konsolidimin e financave publike iu desh të pranojë shkurtime të mëdha dhe rritjen e taksave. Socialistët, që dështuan së fundi si parti qeverisëse, po fitojnë përsëri admirimin e zgjedhësve.

Fillimin e bën Portugalia. Koalicioni konservator nën kryeministrin Pedro Passos Coelho po përpiqet shumë, ndërsa opozita socialiste nën udhëheqësin e saj karismatik, kryetarin e bashkisë së Lisbonës, António Costa, ia kalon asaj në sondazhe. Në vjeshtë e ka rradhën Spanja. Kryeministri Mariano Rajoy është një nga politikanët më pak të admiruar në vend. Partia e tij Popullore ka rënë dukshëm nën tridhjetë për qind. Pedro Sánchez quhet shpresa e re e socialistëve, që vështron tashmë majtas për partnerë të gatshëm.

Mbi të gjitha ekonomia dhe tregjet financiare kanë arsye të kenë frikë nga destabilizimet politike, fragmentimi dhe mungesa e aftësisë qeverisëse, si dhe nga një ndryshim potencialisht radikal i kursit. Janë bankat e huaja, të cilat kanë dërguar të parat sinjalet e alarmit. JP Morgan paralajmëroi nga Spanja në lidhje me pasiguritë "në nivel kombëtar dhe rajonal" dhe kishte parasysh dy gjëra: ngjitjen e papritur të partisë së majtë populiste Podemos (Ne mundemi) në forcën e tretë krahas konservatorëve dhe socialistëve dhe separatizmit në Katalonia. Analistët në Barclays, atë të Bank of America Merrill Lynch dhe të Agjencisë së Ratingut Fitch tregojnë me gisht te të njëjtët faktorë rreziku.

Spanja i druhet populistëve të majtë të Podemos
Spanja i druhet populistëve të majtë të Podemos- Pamje nga MadridiFotografi: Cover/Getty Images

Ndërsa në Spanjë partitë tradicionale po dobësohen nga skandalet e korrupsionit, që dalin vazhdimisht në sipërfaqe - në mesin e tyre Partia Popullore e Rajoy, që reagon në mënyrë jo të shkathët - në Portugali sundon një tmerr nga shkatërrimi i grupit Espirito Santo. Në fuqinë dikur krenare koloniale tani janë të "kolonizuarit", ata që përfitojnë nga privatizimi i i sipërmarrjeve të vjetra shtetërore. Angolanët, brazilianët dhe kinezët kanë bërë tashmë blerjet më të rëndësishme në sektorë kyç si energjia, media dhe shëndetësia. Tani Isabel dos Santos, vajza e presidentit angolan Jose Eduardo dos Santos, miliarderja e parë e Afrikës dëshiron të ketë edhe Telekomin portugez. Shumë portugezë nuk shohin vetëm me habi se si "margaritarët" e tyre kalojnë në pronësi të huaj. Ata kanë frikë se kanë për ta paguar, sikur një ditë në "Kleptokratinë" Angola mund të vijë një ndryshim pushteti me pasoja të padëshirueshme për "vendin ëmë".

Shkatërrimi i grupit Espirito Santo i hap telashe portugezëve
Shkatërrimi i grupit Espirito Santo i hap telashe portugezëveFotografi: Patricia De Melo Moreira/AFP/Getty Images

Spanja, forca e katërt ekonomike e Eurozonës, ka probleme të tjera. Pikërisht kur dukej se kur kaluan vështirësitë e mëdha, rajoni më dinamik, më i suksesshëm ekonomikisht, më i pasur, kërcënon me separatizëm. Nga sipërfaqja po aq sa Belgjika dhe me 7,5 milionë banorë e krahasueshme me Finlandën dhe Danimarkën, Katalonja përbën një të pestën e produktit të brendshëm të Spanjës. Një ndarje do të ishte për Spanjën më shumë se një amputim i dhimbshëm, pa qenë e qartë, nëse Katalonia momentalisht insolvente, do të mund të qëndrojë në këmbët e veta. Ajo ka grumbulluar 62 mililardë euro borxhe dhe varet nga financat e Madridit.

Dhe pastaj është Podemos, një parti, që nuk e di, nëse borxhet e shtetit duhet të kthehen me të vërtetë, dhe nëse duhet respektuar tavani i borxhit i garantuar në kushtetutë, apo ndoshta duhet marrë më mirë një shembull i lehtë i buxhetit, si Franca dhe Italia. Në një anketim të gazetës „El País“ grupimi i udhëhequr nga një ish profesor politike, komunist 36 vjeçar, doli partia më e fortë, në "sondazhin e së dielës". Kështu që për Spanjën dhe Portugalinë mund të thuhet: Nëse në pjesën iberike të shinave jugore evropiane vitin e ardhshëm të ndërrohen makinistët, mund të ekzistojë rreziku, që trenat financiarë të dalin nga shinat.