1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Procesi për largim nga posti dëmton demokracinë

Rodrigo Abdelmalack.17 Mars 2015

Mbi një milion vetë demonstruan të dielën në më se 150 qytete të Brazilit dhe kërkuan nisjen e një procesi për largim nga posti të Presidentes Dilma Roussef. Kjo nuk është e parrezikshme, mendon Rodrigo Abdelmalack.

https://p.dw.com/p/1Era5
Protesta ne Brazilia
Fotografi: Tânia Rêgo/Agência Brasil

Data që u zgjodh për protestat në të gjithë vendin nuk ishte rastësi. E diela ishte përvjetori i 30-të i betimit të Jose Sarney, Presidentit të parë civil pas diktaturës ushtarake. Një numër i madh organizatash pati bërë thirrje për protestë. Së bashku, tri organizatat më të mëdha megjithatë nuk i mbledhin më shumë se një milion mbështetës në Facebook.

Por vëmendja që tërhoqën në ditët para demonstratave ishte e madhe: bëhet fjalë për një fenomen të rrjeteve sociale dhe njerëz që mblidhen nga të gjitha shtresat e popullsisë, pavarësisht nga partitë politike- ky është vlerësimi i medieve të mëdha. Njëkohësisht, politikanët - edhe të opozitës - u shprehën pa humbur kohë kundër nisjes së një procesi për largim nga posti të Presidentes. Për të penguar "një intensifikim të kaosit", siç thotë Marina Silva. Ose siç e shpreh ish-Presidenti Cardoso: procesi për largim nga posti është si një bombë atomike. I shërben frikësimit, por nuk përdoret.

Për korrupsionin nuk e ka fajin vetëm Presidentja

Me të vërtetë, kërkesa e demonstruesve për të nisur një proces për largim nga posti të Presidentes Dilma Roussef të lë një shije të hidhur, pikërisht në një datë të tillë simbolike. Fiksimi i tyre tek personi i Presidentes së shtetit dhe besimi i tyre se korrupsioni në Brazil do të mënjanohet me një proces për largim nga posti, tregon se ata kuptojnë pak ose asgjë nga mënyra e funksionimit të një demokracie dhe nga shkaqet e korrupsionit.

Shkaqe për të protestuar ka shumë. Brazilianët e kuptuan shumë mirë se potencialet gjigande të vendit hidhen dëm. Brazili është një nga eksportuesit më të mëdhenj të ushqimeve, megjithatë nuk arrin ta eleminojë urinë në vend. Është një vend i përmasave për ta pasur zili, por jo në gjendje që ta ndajë në mënyrë të drejtë tokën. Rezervat e naftës janë të mëdha, por prestigji i shoqërisë së naftës Petrobras është rrënuar. Rezervat me ujë të ëmbël janë gjigande, por në qytete mungon uji i rrjedhshëm. Plane të rëndësishme infrastrukturore ngecin në vend ose nuk realizohen kurrë. Minoritetet si grupe indigjene të popullatës dhe homoseksualët luftojnë për të drejta bazë. Kësaj i shtohet edhe dështimi i sistemit arsimor dhe korrupsioni - herë pas here korrupsioni!

Ai që kërkon ta përmbysë kështu Rousseffin, rrezikon sistemin

Që përballë këtyre problemeve të përqendrohesh vetëm tek Presidentja, është ose naive nga pikëpamja politike ose pjesë e një strategjie politike të pasinqertë. Për këtë mund të ketë vetëm një përgjigje: Dilma Roussef u zgjodh në zgjedhje të lira dhe të drejtpërdrejta. Askush nuk ka mundur t'i vërtetojë asaj deri tani veprime ilegale ose pasurim personal.

Kjo natyrisht nuk do të thotë se duhet të shtrihesh e të flesh gjumë, në një kohë që Roussefi shkel një premtim elektoral pas tjetrit. Kundër kësaj mundet, lejohet dhe madje duhet protestuar. Por shkaku i vërtetë që i shtyn protestat duket se është vetëm anulimi i rezultatit të zgjedhjeve. Por për këtë nuk është parashikuar procesi i largimit nga posti. Mungesa e respektit përballë presidentes së zgjedhur nuk është gjë tjetër veçse mungesë respekti ndaj procedurave demokratike dhe institucioneve. Kjo i destabilizon strukturat demokratike dhe nxit, si pasojë të fundit, rrezikun e një grushti të ri shteti.