1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konferenca e Berlinit pret që Irani të ulet ne tryezën e bisedimeve

Anila Shuka, Berlin30 Mars 2006

Ministrat e jashtëm të pesë vendeve antare të Këshillit të Sigurimit, Gjermanisë dhe BE-së u takuan në Berlin për të diskutuar për programin atomik të Iranit.

https://p.dw.com/p/Aqeu
Konferenca e Berlinit për Iranin (30.03.06)
Konferenca e Berlinit për Iranin (30.03.06)Fotografi: AP

Ministrat e jashtëm ishin mbledhur të diskutonin, se ç'do të ndodhë, në se Irani, edhe mbas 30 ditësh që ka caktuar Këshilli i Sigurimit, do të vazhdojë të mos tregojë shenjë kompromisi.

Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Frank Valter Shtajnmajer, kërkoi nga Irani sinjale të qarta dhe të besueshme: "Në qoftë se Irani nuk do ta shfrytëzojë këtë shans, por do të vazhdojë rrugën e konfrontimit, duke i injoruar kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare, atëherë ai do ta fusë veten në izolim të mëtejshëm," - tha Shtajnmajer mbas takimit në Berlin.

Krahas ministrit gjerman, në konferencë merrnin pjesë edhe shefat e diplomacisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Britanisë së Madhe, Rusisë, Kinës, si edhe i ngarkuari i lartë i Bashkimit Evropian për çështjet e jashtme dhe të sigurisë.

Ministrat i bënë thirrje njëzëri Iranit të ndalojë programin e tij atomik dhe të kthehet në tryezën e bisedimeve: "Bashkësia ndërkombëtare është e Bashkuar dhe pret nga Irani të demonstrojë qartë, se aktivitetet e tij janë vetëm për qëllime civile. Kursi i tij duhet të jetë negociimi dhe jo konfrontimi," - kërkoi ministrja amerikane e punëve të jashtme, Kondolisa Rajs. Para konferencës Rajs, pat zhvilluar një bisedë edhe me kancelaren gjermane Angela Merkel, ku gjithashtu temën kreysore të bisedës e përbënte Irani.

Se si do të vazhdohet më tej, në rast se Irani nuk do t'i përgjigjet thirrjes së bashkësisë ndërkombëtare, kësaj pyetjeje të gazetarëve ministrat iu shmangën. "Tani e ka radhën Irani, për hapat e tjera do të diskutojmë më vonë," tha Shtajmajer.

Dy antarët e Këshillit të Sigurimit me të drejtë vetoje, Kina dhe Rusia, deri tani janë shprehur vetëm për zgjidhje diplomatike dhe paqësore dhe kanë përjashtuar ngritjen e sanksioneve ndaj vendit islamik, me të cilin ato kanë pasur tradicionalisht marrëdhënie të ngushta ekonomike.