1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konferenca: Baerbock premton ndihmë shtesë për Sirinë

12 Janar 2025

Pas rënies së regjimit të Asadit, e ardhmja e Sirisë është ende e pasigurt. Ministrja e Jashtme gjermane Baerbock merr pjesë në konferencën ndërkombëtare për Sirinë në Arabinë Saudite dhe premton ndihmë të mëtejshme.

https://p.dw.com/p/4p4ko
Takimi i Ministrave të Jashtëm në Arabinë Saudite - Baerbock duke ecur
Takimi i Ministrave të Jashtëm në Arabinë Saudite - BaerbockFotografi: picture alliance/dpa

Rreth një muaj pas rënies së liderit Bashar al-Assad, e ardhmja e Sirisë po diskutohet në një konferencë ndërkombëtare në kryeqytetin saudit Riad. Janë të ftuar shumë përfaqësues të nivelit të lartë nga vendet arabe dhe perëndimore. E pranishme është edhe ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock.

Sipas Ministrisë së Jashtme gjermane, diskutimet do të fokusohen në tranzicionin paqësor "në një sistem politik gjithëpërfshirës". Tema të tjera të mbuluara përfshijnë trajtimin e "krimeve të tmerrshme të epokës së Asadit" dhe modernizimin e infrastrukturës.

Pas mbërritjes, Baerbock premtoi 50 milionë euro shtesë ndihmë për Sirinë. Kjo shumë do të jepet për ushqime, strehime emergjente dhe kujdes mjekësor përmes Programit Botëror të Ushqimit dhe OJQ-ve. "Pavarësisht nga të gjitha dyshimet legjitime, ne, si komunitet ndërkombëtar, nuk duhet të lëmë të ikë shansi për një të ardhme në Siri”, tha ministrja e Jashtme e Gjermanisë.

Qeveria e re dëshiron heqjen e sanksioneve perëndimore

Ministri i ri i Jashtëm sirian, Asaad Hassan Al-Shaibani, mbërriti në Riad që të shtunën në mbrëmje. Liderët e rinj duan që sanksionet perëndimore të hiqen për të përshpejtuar rindërtimin. Gjermania dhe Franca kanë folur për mundësinë e lehtësimit të sanksioneve, por kanë bashkangjitur kushte. Në të njëjtën kohë, Baerbocku tani theksoi se sanksionet kundër klanit Asad dhe pasardhësve të tij, "të cilët kryen krime të rënda gjatë luftës së tmerrshme civile në Siri", duhet të mbetet.

Qeveria gjermane, megjithatë, propozon që Bashkimi Evropian të miratojë një "qasje inteligjente" dhe të mbështesë shpejt popullsinë siriane tani, në mënyrë që të ketë ushqim për të blerë në supermarkete ose në tregje, që të ketë më shumë energji elektrike çdo ditë dhe që të fillojë rindërtimi . Megjithatë, procesi i tranzicionit paqësor pas rënies së Asadit duhet të kryhet "brenda Sirisë".

Takimi i Ministrave të Jashtëm në Arabinë Saudite - Baerbock
Takimi i Ministrave të Jashtëm në Arabinë Saudite - Annalena BaerbockFotografi: picture alliance/dpa

BE do të shqyrtojë lehtësimin e sanksioneve

E ngarkuara me politikën e jashtme të BE, Kaja Kallas, shkroi në Platformën X se do të shikojmë se si mund të lehtësohen sanksionet. Megjithatë, kjo duhet të ecë paralelisht me përparimin e prekshëm drejt një tranzicioni politik që pasqyron Sirinë në të gjithë diversitetin e saj.

BE vendosi sanksione ndaj Sirisë që nga viti 2011 në përgjigje të dhunës së qeverisë së Asadit kundër popullatës civile. Këto sanksione kanë si objekt qeverinë e rrëzuar dhe mbështetësit e saj, si dhe sektorët ekonomikë nga të cilët qeveria përfitoi. Masat e BE përfshijnë ndalimin e investimeve në industrinë e naftës siriane dhe në kompanitë e përfshira në ndërtimin e termocentraleve të reja në Siri. Ekziston gjithashtu një ndalim për importet e naftës së papërpunuar nga Siria, një embargo armësh dhe kufizime të tjera të eksportit.

Milicia HTS e cilësuar si organizatë terroriste nga BE

Më 8 dhjetor, kryengritësit e udhëhequr nga milicia islamike HTS morën kontrollin e Damaskut pas një ofensive disaditore, duke i dhënë fund sundimit të dekadave nga familja Assad.

Aleate në të kaluarën me organizatat terroriste islamike Al-Kaeda dhe IS, HTS që atëherë ka demonstruar moderim dhe gatishmëripër të respektuar të gjitha grupet në shtetin multi-etnik. Por ajo konsiderohet ende një organizatë terroriste nga BE, ndër të tjera.

Baerbock: "Nuk ka fonde evropiane për strukturat islamike"

Baerbock vizitoi Damaskun në fillim të janarit me kolegun e saj francez Jean-Noël Barrot për të shqyrtuar bashkëpunimin me qeverinë e re. Më pas ministrja gjermane e kushtëzoi ndihmën me respektimin e të drejtave të femrave dhe pakicave.

aud (ag,tgs)