Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje
19 Prill 2013Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Lady Catherine Ashton, tha se kryeministrat e të dy vendeve kanë nënshkruar një marrëveshje gjatë bisedimeve në Bruksel, pas gjashtë muajsh negociatash delikate.
"Negociatat përfunduan. Teksti është nënshkruar nga të dy kryeministrat", tha Ashton për gazetarët.
Ministrja kosovare për Integrim, Vlora Çitaku, e konfirmoi në Twitter lajmin. Ndërsa ministri i Jashtëm kosovar Enver Hoxhaj, në Twitter komentoi: "Kjo marrëveshje është baza për normalizimin e marrëdhënieve mes nesh".
Marrëveshja pritet të hapë dyert për më shumë integrim ndërkombëtar të shtetit të ri kosovar. Beogradi shpreson që pas kësaj të marrë dritën e gjelbër të hënën nga 27 anëtarët e BE-së për fillimin e bisedimeve rreth anëtarësimit të Serbisë.