1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Specialja kontroll në shtëpitë e Thaçit, Veselit dhe Selimit

Bekim Shehu
6 Nëntor 2020

Dhomat e Specializuara publikuan aktakuzën prej 68 faqesh kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. 

https://p.dw.com/p/3kxal
Kosovo Sicherheitskräfte
Fotografi: Erkin Keci/AA/picture alliance

Policia e EULEX-it, po kontrollon shtëpitë e tre krerëve të ish-UÇK-së, të cilëve një ditë më paë iu konfirmua nga Prokuroria Speciale aktakuza për krime lufte, Hashim Thaçit, Kadri Veselit  dhe Rexhep Selimit. Operacionin e serishëm të speciales në Prishtinë e konfirmon zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, ku thuhet se "operacionet po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX”. Kontrolet të premten (06.11) nxitën reagimin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

"Të kontrollohen familjet e të arrestuarve që janë dorëzuar paqësisht dhe vullnetarisht nuk ka asnjë kuptim përveç demonstrimit të një arrogance dhe agresiviteti të Policisë së Gjykatës Speciale që për qëllim ka frikësimin e të gjithë atyre që nuk pajtohen me këtë Gjykatë", thuhet në njoftimin e KMDLNJ-së dhe e fton "Komitetin Ndërkombëtar për Parandalimin e Torturës të përcjellë dhe hetojë sjelljen e Policisë së Gjykatës Speciale sepse ky edhe është mandati kryesor i këtij Komiteti".

Dhomat e Specializuara në Hagë pasi njoftuan për vendosjen në dhomat e paraburgimit në Hagë të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, që të gjithë ish drejtues të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës , bënë publike aktakuzën për krime kundër tyre.

Në aktakuzë thuhet se "së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes".

Krimet sipas aktakuzës janë kryer në disa vende në Kosovë si edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore, ku thuhet se "krimet janë kryer nga  pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

"Ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: serbë, romë dhe ashkalinj; katolikë; civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së", thuhet në aktakuzë. Për këtë arsye në aktakuzë thuhet se, "Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së".

Sidoqoftë, konfirmimi i aktakuzave ndaj Hashim Thaçit, që dha dorëheqje nga posti i presidentit, Kadri Veselit që u tërhoq nga kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Rexhep Selimit dhe Jakup Ktrasniqit, ka rënduar situatën politike në Kosovë. Këtë e thotë edhe kryeministri Avdullah Hoti, i cili megjithatë në një mbledhje të qeverisë nuk u pajtua me kërkesën e partnerit të koalicionit AAK, të Ramush Haradinajt, që të ndërpritet dialogu me Serbinë deri në një rrethanë tjetër. Kërkesën për ndërprerje të dialogut e bëri ministri i Drejtësisë Selim Selimi.

"Vendi po kalon në periudhë të vështirë dhe ngritja e aktakuzave është goditje për popullin. Qeveria e Kosovës duhet të pezullojë dialogun deri në një moment tjetër. Qeveria e Kosovës është për vendosjen e drejtësisë, por gjykata duhet qartë të sqarojë se është gjykatë e Kosovës e nuk operon me "prova” të Serbisë”, tha ministri i Drejtësisë Selim Selimi. Por, kryeministri Hoti, në përgjigje të kësaj tha se "duhet të respektohet parimi i ndarjes së pushteteve”.

"Duhet të respektojmë parimin e ndarjes së pushteteve, në veçanti ministri i Drejtësisë e ka të qartë këtë çështje, ne nuk ndërhyjmë as nuk komentojmë vendime të organeve të drejtësisë, në Qeverinë e Kosovës, nuk ka hapësirë për sjellje ndryshe, bazën ligjore e kemi të qartë se si sillemi në këtë situatë për t'i ndihmuar ligjërisht, Kushtetuta është e qartë se si procedohet më tutje kur vendi nuk ka president, secili prej jush duhet të vazhdojë me kapacitet të plotë. Ky është qëndrimi që duhet të mbajmë si qeveri”, tha kryeministri Hoti.

Ambasadorët në Kosovë të vendeve më të industrializuara QUINT, në një deklaratë të përbashkët e vlerësuan bashkëpunimin e siç, thanë  të "liderëve kosovarë me Gjykatën Speciale, dhe deklaratat e tyre për respektim të procesit gjyqësor”.

"Ne i vlerësojmë fjalimet drejtuar publikut të mbajtura dje nga z. Thaçi dhe z. Veseli, të cilët bënë thirrje për respektimin e procesit gjyqësor. Kjo pasqyron përgjegjësinë dhe vendosmërinë e Kosovës për respektim të sundimit të ligjit dhe për kërkim llogarie nga individët që mund të kenë kryer veprime të paligjshme. Nuk duhet harruar se sipas ligjit, individët nën aktakuzë janë të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre, dhe se duhet të respektohen të drejtat e tyre ligjore. Kosova duhet të mbetet e përkushtuar ndaj këtij procesi”, thuhet në deklaratën e QUINT-it. Sipas tyre "BE e ka mbështetur fuqimisht krijimin e Dhomave të Specializuara, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë derisa të përmbushet misioni i Dhomave, ndaj të cilave edhe Kosova është e përkushtuar”, thotë QUINT.