270911 EU Finanzkrise
28 Shtator 2011Martin Schulz, kryetari i fraksionit të socialistëve në Parlamentin Evropian, e quan në një konferencë shtypi në Strazburg krizën e euros si krizë besimi.
„Humbja e besimit tek Evropa është e dyfishtë. Ne kemi të bëjmë me humbjen e besimit të tregjeve në Evropë, ne kemi të bëjmë me humbjen e besimit të njerëzve ndaj kapaciteteve drejtuese të qeverive. Ky është një zhvillim dramatik. Prandaj mesazhi kryesor është se besimi duhet kthyer nëpërmjet stabilitetit dhe veprimeve unike.“
Njësoj si Schulz ankohen edhe shumë deputetë të tjerë të Parlamentit Evropian. Ata thonë se qeveritë e vendeve anëtare flasin dhe veprojnë secila për vete, në vend që të vendosen të gjitha në një front. Kryetari i liberalëve, Guy Verhofstadt kujtoi paralajmërimet e bëra nga SHBA. Por, jo si Gjermania, e cila mbrohet nga kritikat që vijnë prej Uashingtonit, Verhofstadt i merr seriozisht kritikat.
„Ne ndodhemi në mes të një krize, që është shumë serioze dhe nga jashtë Bashkimit Evropian ne kemi marrë kërkesa që të mos bëjmë më gjëra përgjysmë si ato që kemi bërë 18 muajt e fundit, por të dalim me një plan të përgjithshëm dhe të guximshëm.“
Verhofstadt, mendon se ky plan i BE-së duhet të japë shtysë të mirë për integrimin. Këtu bën pjesë edhe një ministër evropian i financave.
Por, të gjithë parlamentarët evropiane e dinë edhe se shtetet e veçanta, nuk lejojnë pa rezistencë që t'u merren kompetencat nga dora. Këtë e di edhe Jean-Claude Juncker, presidenti i grupit të euros, i cili i dha përgjigje pyetjeve të deputetëve. Tek Gjermania, vendin kryesor në përpjekjet e stabilizimit, Juncker shikon një problem komunikimi për të gjithë ato çka përbëjne vlerat e bashkimit monetar.
„Zonja Merkel dhe të tjerët duhet t'u sqarojnë miqve tanë gjermanë se Evropa është një valle tango midis solidaritetit të njëri dhe solidaritetit të tjetrit."
Kjo sigurisht që ishte një përpjekje tjetër, për të ndikuar mbi votimin që pritet të mbahet në parlamentin gjerman për zgjerimin e programit të ndihmës. Juncker i dha edhe një herë refuzim të qartë të gjitha ideve që vijnë nga parti qeveritare gjermane për nxjerrjen ose daljen e Greqisë nga bashkimi monetar.
Por në Parlamentin Evropian ekzistojnë ide të ndryshme për rrugët e shpëtimit të euros. Nigel Farage nga Independence Party britanik, është një nga, por jo i vetmi që e sheh fundin e bashkimit monetar jo si katastrofë por si shpëtim.
Në Parlamentin Evropian shpërndahet ngadalë paniku. Sepse ashtu si dhe më parë, nuk vihet re asnjë veprim i përbashkët i Evropës.
Autor: Christoph Hasselbach/ Aida Cama
Redaktoi: Elert Ajazaj