Lehtësim i sanksioneve ekonomike për Iranin
20 Janar 2014Dita e punës ka mbaruar. Michael Tockuss rri në një kafene diku midis Reichstag-ut zyrës së kancelarisë së Berlinit. Në një tryezë festohet me zhurmë një ditëlindje, në një tjetër ca diplomatë të rinj porosisin gotën e dytë. Anëtari i kryesisë së Dhomës Ekonomike gjermano-iraniane duket i lodhur. Ai e ka kaluar gjithë ditën në takime në Ministrinë e Jashtme dhe Ministria e Ekonomisë. Tockuss, nga xhaketa e të cilit rrjedh shiu i ftohtë i Berlinit, porosit një kafe. Pastaj ai ul zërin e celularit. Prej javësh telefoni i tij bie pa ndërprerje, vazhdimisht marrin në telefon sipërmarrës.
"Vijnë firma, të cilat pak a shumë i kishin hequr vizë kërkesave nga Irani", thotë ai. Tani jo më. Që kur perëndimi dhe Irani ranë dakord në nëntor për një marrëveshje të përkohshme, sipas të cilit Irani për gjashtë muaj do të ndërpresë programin e tij bërthamor dhe do të lejojë kontrollet e pakufizuara, perëndimi premton që të lirojë disi rrjetin e sanksioneve, të cilin në vitet e fundit e ka shtrirë gjithmonë e më ngushtë mbi Iranin dhe ekonominë e tij.
Kështu për shembull do të hiqen përkohësisht kufizimet, që kanë penguar tregtinë në pjesë këmbimi për avionë, për prodhimet petrokimike, apo në industrinë e automobilave. Që nga ajo kohë, biznesmenët shikojnë me interes në tregun e Iranit.
Amerikanët tentojnë të futen në treg
Në mëngjes ai i dërgoi anëtarëve të një delegacioni tregtar një ftesë për një udhëtim në Iran, disa orë më vonë erdhën disa konfirmime.
Por jo vetëm sipërmarrës gjermanë e marrin Tockuss-in në telefon: Në panaire atij i drejtohen vazhdimisht përfaqësues amerikanë, të cilët për shkak të sanksioneve për vite me rradhë kanë qenë të shkëputur nga tregu iranian. Ekspertiza gjermane dhe kontaktet janë shumë të kërkuara: 6000, ndoshta madje 7000 firma kryesisht të mesme janë aktive në Iran, mendon Tockuss. Gjermania ka mbetur një partner i rëndësishëm tregtar, megjithë sanksionet, të cilat në vitet e fundit de facto kanë bërë praktikisht të pamundur çdo transferim parash në Iran dhe nga Irani. Edhe këto do të lehtësohen nga marrëveshja interim. Për vite me rradhë amerikanët kanë bërë presion të madh ndaj firmave dhe bankave europiane, me qëllim që ata të largohen nga Irani. Tani ata konkurrojnë për hyrjen në treg dhe tregohen xhentilë ndaj delegacioneve iraniane. Tockuss buzëqesh:
"Nëse amerikanët, siç është rënë dakord do të heqin në nëntor sanksionet kundër Iranit në sektorin e industrisë së automobilave, atëherë ne me siguri do të përjetojnë një situatë të një konkurrence të madhe nga njëra anë nga kompanitë gjermane, por edhe nga kompanitë franceze. "Tockuss ngre supet. Ai e sheh me qetësi konkurrencën. Tregu iranian ka shumë nevojë për importe, ka shanse të mjaftueshme për të gjithë.
Ali Habibian është menaxher i Safirian Air, një shoqërie ajrore private. Për vite me rradhë atij i është dashur të pajisë avionët e tij të vjetëruar me pjesë këmbimi të përdorura. Sepse edhe aviacioni civil i nënshtrohej deri tani embargos.
"Po, të gjithë kanë një plan, patjetër. Të gjithë fillojnë të ripërtërijnë kontaktet e vjetra dhe po krijojnë të reja. Ndërmjetësuesit e vjetër, që na kanë shitur fshehurazi pjesë këmbimi nën dorë nuk na duhen më", kështu shpresont Habibian. Marrëveshja provizore heq vetëm sanksionet për pjesët e këmbimit, por jo për avionët. Por Habibian shpreson për bisedimet që do të zhvillohen në gjashtë muajt e ardhshëm. Qëllimi është një marrëveshje, që të heqë përfundimisht sanksionet. Sapo të bien sanksionet për tregtinë e avionëve, ai do të porosisë menjëherë 100 avionë të rinj, thotë Habibian. Në shiun para kafenesë së stërmbushur Michael Tockuss thith cigaren e tij. Ai nuk beson se sanksionet do të hiqen aq shpejt.
A është optimizmi në Iran i parakohshëm?
Në Iran është një optimizëm i madh dhe euforia në Iran është aq e madhe, saqë ne frenojmë dhe përpiqemi t'i bëjmë realistë. Do të zgjasë shumë kohë, deri sa sanksionet të hiqen plotësisht. Shumë iranianë e presin këtë në një kohë shumë të shkurtër dhe ne shpresojmë se kjo ndjenjë në Iran nuk do të kthehet në të kundërtën."
Pastaj sanksionet janë lehtësuar vetëm përkohësisht. Nëse Irani nuk i përmbush detyrimet, ata mund të rivendosen. Atë e qetëson edhe fakti, se një grup deputetësh amerikanë këmbëngul që sanksionet kundër Iranit të rivendosen.
Ai thotë se ka pyetur në një bisedë në ministrinë e Ekonomisë se çfarë do të bëhet, nëse Kongresi amerikan i rivendos sanksionet. Në se evropianët do të negociojnë të vetëm? Përgjigja është një qeshje hidhur në tryezën e konferencës. Tockuss ngre supet. Pastaj ai ndahet dhe shpejton drejt makinës së tij në shiun e dendur. Të nesërmen do të ketë takimin tjetër. Përsëri do të bëhet fjalë për sanksionet, marrëveshjen dhe ekonominë.