Lëkundje në qeverinë e Portugalisë
3 Korrik 2013Vetëm një ditë pas dorëheqjes së ministrit të Financave Vitor Gaspar edhe ministri i Jashtëm Paulo Portas ofroi dorëheqjen nga posti i tij. Ai përmendi si arsye "dallimet politike" me kryeministrin Pedro Passos Coelho. Vendimi i tij për dorëheqje është i "pakthyeshëm", tha 50-vjeçari.
Portas është kryetar i Partisë Konservatore të djathtë CDS-PP, partneri kryesor i koalicionit të kryeministrit socialdemokrat Coelho. Ende mbetet e paqartë nëse partia CDS-PP do të tërhieqt plotësisht nga koalicioni qeverisës pas dorëheqjes së Portas. Pa votat e CDS-PP, koalicioni i qendrës së djathtë nuk do të kishte më shumicën në parlament.
Fillimisht të hënën, ministri i Financave dhe zëvendës-kryeministri Vitor Gaspar kishte dhënë dorëheqjen për shkak të mbështetjes gjithnjë në rënie në radhët e popullsisë për kursin e tij të kursimeve. Ekonomisti dhe ish bashkëpunëtori i Bankës Qendrore Evropiane ishte vendimtar në hartimin e masave shtrënguese të diskutueshme të cilat Portugalia i premtoi në këmbim të programit të ndihmave prej 78 miliard eurove nga partnerët e euros dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Shkurtimet shkaktuan protesta dhe zhytën vendin në krizën më të keqe ekonomike në 40 vitet e fundit.
Papunësia është rritur në një nivel të lartë rekord prej 18 për qind. Ky është viti i tretë me radhë që Portugalia ndodhet në recesion.
Pasardhës i Gaspar-it është emëruar sekretarja e deritanishme shtetërore e Financave Maria Luis Albuquerque. Në veçanti, ky emërim ka shkaktuar pakënaqësi të madhe te ministri i Jashtëm, Portas. Ai ishte shprehur kundër emërimit të Albuquerque-s si ministre e Financave. Kryeministri, megjithatë, ka vendosur për "vazhdimësinë" e ndjekjes së kursit të kursimeve, shpjegoi Portas. Këtë ai e konsideron si vendim të gabuar. Prandaj, do të kishte qenë një akt "mashtrimi" nëse ai do të vazhdonte të qëndronte në kabinet.