Maqedoni e Veriut:procesi zgjedhor po rrjedh pa probleme
5 Maj 2019
Në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet raundi i dytë zgjedhjeve presidenciale, ku në garë janë dy kandidatë Stevo Pendarovski i mbështetur nga partit e koalicionit qeveritar dhe Gordana Siljanovska-Davkova, kandidate e mbështetur nga opozita maqedonase VMRO-DPMNE.
Votimet janë hapur në orën 7:00 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19:00 të mbrëmjes. Të drejtën e votës e kanë rreth 1.8 milionë persona, të cilët mund ta realizojnë në 3512 vendvotime. Zgjedhjet do të jenë të vlefshme nëse në votime dalin mbi 40 për qind e zgjedhësve.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri në orën 13.00 të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 20.73 për qind e qytetarëve. Dalja më e lartë është regjistruar në Kriva Pallankë dhe Krushevë me rreth 39 përqind, ndërsa më e ulët në komunat me popullatë shqiptare si në Bogovinë, Zhelinë, Saraj e komuna tjera, ku nuk arrin as 10 për qind. Gjithnjë sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve procesi i votimit po zhvillohen në atmoferë të rregullt pa incidente që mund të prishin procesin votues.
Ministria e Punëve të Brendshme gjatë votimit të sotëm në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale deri në mesditë nuk ka regjistruar asnjë shkelje të rendit dhe qetësisë publike.Votimi zhvillohet në mënyrë paqësore dhe pa probleme ka thënë zëdhënësi i MPB-së Toni Angelovski.
"Çdo përpjekje për prishjen e procesin zgjedhor do të sanksionohet pa kompromis”, ka deklaruar Angelovski. MPB apelon tek qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votimit në mënyrë paqësore dhe dinjitoze.
Liderët partiakë me apele që qytetarët të dalin në vendvotime
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev pasi ka realizuar të drejtën e votës ka theksuar se sot më e rëndësishmja është që të arrihet censusi dhe Maqedonia e Veriut të fitojë presidentin e ri të shtetit. Sipas tij nga votimi dhe rezultati përfundimtar do të varet se kah do të orientohet shteti.
"Unë besoj se me një dinamikë të përshpejtuar do të vazhdojmë të ecim krahë për krahë me botën perëndimore. Shpresoj që zgjedhjet e sotme të jenë të suksesshme dhe do të ecim përpara ashtu siç na ka hije”, ka theksuar kryeministri Zoran Zaev.
Lideri i opozitës maqedonase kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristian Mickoski pasi ka votuar ka folur për disa parregullsive që janë shënuar në teren.
"Siç duket karakteri i pushtetmbajtësve të Zoran Zaevit nuk rri qetë. Ata duan që përmes rrugës së dhunës të zgjedhet presidenti i ri i shtetit. Kemi disa raste në Maqedoninë Lindore për të cilat VMRO DPMNE-ja do ta njoftojë përmes konferencave për shtyp opinionin për parregullsitë e shënuara", ka deklaruar Hristijan Micevski kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti procesin e sotëm zgjedhor e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut. Ai u ka bërë thirrje qytetareve që sa më masovisht të dalin për të votuar.
"Është një moment shumë i rëndësishëm që vendi ynë të jap një porosi për rajonin, por në veçanti për komunitetin ndërkombëtar se është një shoqëri e pjekur e përgatitur për procese të rëndësishme", ka thënë Ali Ahmeti kryetari BDI-së.
Vendvotimet mbyllen në ora 19 ndërsa rezultatet e para jopreliminare pritet të kumtohen diku nga ora 20 e mbrëmjes së sotme.