Maroku deporton qindra emigrantë
13 Gusht 2018Sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut autoritetet marokane të sigurisë kanë deportuar qindra emigrantë nga rajonet bregdetare në veri të vendit për në brendësi të tij. Që nga mesi i javës së kaluar ka pasur rritje të bastisjeve dhe të arrestimeve të paligjshme të migrantëve, ndër të tjera në qytetet e Nador dhe Tangier, njoftoi Shoqata Marokane për të Drejtat e Njeriut (AMDH). Po ashtu policia shkatërroi edhe disa kampe me çadra që gjendeshin në një pyll pranë ekslavës spanjolle Melilla.
Me sa duket qëllimi i këtij aksioni është që njerëzit të pengohen për të kaluar përmes Detit Mesdhe në Evropë. Një përfaqësues i qeverisë në qytetin port të Tangierit i tha agjencisë franceze të lajmeve afp se ky aksion kishte të bënte "me luftën kundër migracionit të paligjshëm". Sipas tij 1600 deri në 1800 emigrantë u dërguan në vende "ku mbizotërojnë kushtet më të mira jetese".
"Shkelje të rënda të të drejtave të njeriut"
Kurse aktivistë marokanë të të drejtave të njeriut thanë se fjala ishte për deportime të paligjshme. Migrantët, kryesisht nga vendet në jug të shkretëtirës së Saharasë i dërguan me autobusë nga Nadori dhe Tangieri në qytetin e Tiznit pranë Agadirit, tha Omar Naji nga organizata AMDH në Nador. Organizata flet për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Naji fajësoi për këtë autoritetet marokane, Spanjën dhe BE-në.
Kohët e fundit, gjithnjë e më shumë refugjatë po përpiqen të hyjnë në Evropën nëpërmjet vendeve të Afrikës së Veriut duke përdorur rrugën përmes Marokut. Sipas Kombeve të Bashkuara këtë vit nga Maroku kanë ardhur në Spanjë më shumë se 28,000 vetë. Gjatë mujit gusht ka pasur më tepër migrantë se gjatë gjithë vitit të kaluar. Sipas njoftimeve të medias, dhjetëra-mijëra refugjatë janë ende në pritje për të hyrë në Evropë nëpërmjet ekslavave spanjolle në Afrikën e Veriut ose përmes Ngushticës së Gjibraltarit.
Kancelarja gjermane u takua në fundjavë me kryeministrin spanjoll Pedro Sánchez për të diskutuar për problemin e refugjatëve. Merkel tha se në bisedimet me Marokun rolin kryesor e ka Spanja, por ajo ofroi edhe mbështjen e saj për këto bisedime.