1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Medalje mirënjohjeje" për programin shqip të Radios Deutsche Welle

Përgatiti Mimoza Kelmendi1 Qershor 2007

Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu vlerëson programin shqip të Radios Deutsche Welle me Medaljen e Mirënjohjes

https://p.dw.com/p/AqVd
Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu
Presidenti i Shqipërisë, Alfred MoisiuFotografi: AP

Mesazhi i Presidentit Alfred Moisiu drejtuar Radios Deutsche Welle me rastin e 15 vjetorit të krijimit

Këto 15 vite kanë nisur me emision 15- minutësh, sot radioja Deutsche Welle transmeton 2 orë në ditë. Këto dy orë program janë zhvilluar dhe rritur parelel me transformimet e mëdha politike, sociale që kanë ndodhur në Shqipëri dhe në tërësi me popullin shqiptar.

Ngjarje të rëndësishme kanë përcaktuar gjatë kësaj kohe dinamikën e zhvillimeve të përgjithshme si në Shqipëri ashtu edhe në vende të tjera ku banojnë shqiptarë. Nëpërmjet punës, fjalës dhe zërit tuaj, ju i keni dhënë impulse të reja jetës së gjithë këtij populli. Në këto momente radioja juaj përmes lajmit të bazuar në fakte të përzgjedhura me korrektësi dhe profesionalizëm, korrespondencës, reportazhit, intervistës dhe lirive të tjera gazetareske ka arritur të transmetojë tek auditori i gjerë me objektivitet, vërtetësi dhe përgjegjësi të lartë imazhin e vendit tonë, të një Shqipërie në zhvillim, imazhin e një populli të lashtë, por fisnik, me aspirata të larta për demokraci, prosperitet dhe integrim.

Me këtë rast unë dëshiroj të them një vlerësim të veçantë për përkushtimin, përgatitjen gazetareske dhe frymën patriotike në këtë ditëlindje, për të gjithë juve që punoni në këtë redaksi të gjuhës shqipe, i meritoni vërtet këto fjalë, sepse me punën tuaj të palodhur, keni shoqëruar ndryshimet thelbësore, jetësore që zunë vend gjatë kësaj periudhe, por dhe ngjarje shumë dramatike për popullin shqiptar, siç ka qenë, vitet e para të lindjes së demokracisë, ngjarjet e 97'-s, ngjarjet e 99'-s, ngjarjet në Maqedoni të viteve 2000-2001. Ju keni ndikuar jo vetëm për t'i bërë të njohura këto ngjarje, por për të ndikuar në kuptimin e drejtë të tyre, në frymën e një mendimi të pavarur dhe korrekt ndaj këtyre çështjeve me rëndësi kombëtare, duke përcjellë me këtë rast realitetin dhe duke rritur me forcën e fjalës dhe të argumentit, imazhin pozitiv të vendit tonë në opinionin ndërkombëtar.

Këto vlera e bëjnë radion tuaj të afërt për dëgjuesit shqiptarë në mbarë botën dhe bëjnë njëkohësshit burim prestigjioz referimi për kërkuesit e lajmit të saktë si një model bashkëkohor të veprimit dhe të funskionimit në tërësi të gazetarisë tek juve.

Duhet të them njëkohësisht se ju keni kontribuar në përforcimin e miqësisë midis popullit gjerman dhe atij shqiptar, nëpërmjet fjalës tuaj, nëpërmjet reportazheve dhe gjithë aktivitetit tuaj. Gjithashtu mendoj se nuk do ta teproja po të thoja se ju keni dhënë një kontribut të veçantë për të gjithë shqipëtarët, si në Republikën e Shqipërisë, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe kudo në diasporë për të transmetuar ndjenjat dhe dëshirat e këtyre njerëzve, për të drejtat e barabarta e qytetare, për liri dhe pavarësi duke ndikuar për rritjen e ndjenjave dhe të përgjegjësisë për respektimin e pakicave kombëtare bashkë me të cilat shqiptarët jetojnë dhe bashkëjetojnë.

Gjithashtu mund të them pa e ekzagjeruar se në mënyrë të vazhdueshme keni transmetuar vlerat e Bashkimit Europian, vlerat qytetare të Evropës së bashkuar për të ngritur nivelin e kërkuar dhe të përgjegjësive që vetë shqipëtarët politikisht, sepse gjeografikisht jemi prej kohësh (na e ka dhënë zoti të jemi këtu) të bëhemi edhe ne, si dhe të përgatitemi për të aderuar në Bashkimin Europian.

Ju keni bërë të njohur në të njëjtën kohë vlerat kulturore të popullit shqiptar dhe historinë e shumëvuajtur, shumë vjeçare, shekullore të këtij populli. Pra mund të them, që vërtet keni bërë një punë shumë të madhe për të cilën meriton të krenoheni. Ju meritoni vlerësimin tim, vlerësimin e të gjithë shqiptarëve dhe unë do tju them, pikërisht për këtë punë të madhe unë kam vendosur që redaksinë shqipë të DW , me rastin e 15 vjetorit të lindjes së saj, ta dekoroj me "Medaljen e Mirënjohjes".

15 vjet punë e djersë për interesat e shqipëtarëve, janë plotësisht të meritueshme për një vlerësim të tillë. Duke përfunduar unë ju uroj suksese të mëtejshme dhe mbarësi në punën tuaj. Më lejoni gjithshtu që nëpërmjet radios suaj t'ju drejtohem gjithë shqipëtarëve kudo ku janë që ta ndjejnë veten më krenar, sepse e ardhmja e Shqipërisë, e ardhmja e shqipëtarëve është e ndritur.

Gëzuar edhe një herë festën tuaj!