Mineralet e rralla të Suedisë: Zbulimi i madh dhe dilemat
23 Janar 2023Kompania shtetërore suedeze e minierave LKAB njoftoi së fundmi një super zbulim: më shumë se një milion ton minerale të rralla u gjetën në qytetin verior suedez Kiruna.
Vendi me emrin Per Geijer, ndodhet në pjesën suedeze të Rrethit Arktik, i cili është i njohur për pasuritë e tij të rralla në tokë për disa dekada. Koncerni për nxjerrjen e mineraleve LKAB drjeton tashmë minierën më të madhe të hekurit në Evropë.
Mineralet e rralla, të njohura edhe si metale të rralla të tokës ose okside të rralla të tokës, janë një grup prej 17 metalesh të rënda që kanë një rëndësi të veçantë në prodhimin e energjive të rinovueshme, si dhe për teknologjitë mjedisore dhe prodhimin neutral ndaj klimës. Ato kërkohen, ndër të tjera, për prodhimin e turbinave me erë dhe automjeteve elektrike.
Pavarësisht emrit të tyre, tokat e rralla janë të bollshme në shumë pjesë të botës. Por minierat dhe nxjerrja e këtyre lëndëve janë komplekse dhe të shtrenjta - si dhe të dëmshme për mjedisin.
Importet nga Kina
Megjithëse BE-ja është shumë e varur nga këto lëndë të para, elementët e rrallë të tokës aktualisht nuk nxirren dhe nuk përpunohen në shkallë industriale në Evropë. Deri më tani, lëndët e para janë importuar kryesisht nga Kina.
Kina ka deri tani rezervat më të mëdha të tokës së rrallë në botë, e ndjekur nga Vietnami, Brazili dhe Rusia. Kina renditet gjithashtu e para në sistemimin dhe përpunimin e tokave të rralla.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së, që nga janari 2022, Kina përbënte më shumë se 60 për qind të prodhimit total të tokës së rrallë, e ndjekur nga Shtetet e Bashkuara (16 për qind), Mianmari (nëntë për qind) dhe Australia (tetë për qind).
Edhe një superlativ?
"Zbulimi është një lajm i mirë për Evropën dhe për klimën", tha drejtori ekzekutiv i LKAB, Jan Moström. Kompania vlerëson se zbulimi është një nga më të mëdhenjtë e këtij lloji në Evropë dhe mund të bëhet një shtyllë e rëndësishme ndërtimi për prodhimin neutral ndaj klimës në BE.
Gjeografja Julie Klinger është skeptike. "Sa herë që lajmërohen depozita të reja tokash të rralla, përdoren superlativa. Prandaj është e rëndësishme të shikohen nga afër të dhënat", tha për DW profesorja e gjeografisë në Universitetin e Delaware.
"Nëse shikoni titujt për depozitat e tokës së rrallë në Grenlandë, Korenë e Veriut, Afganistan, Turqi, në shtratërat e detit apo dhe në Hënë, ata gjithmonë pretendojnë se janë më të mëdhatë ose se janë një nga depozitat më të mëdha”, shtoi ajo. Zbulimi në Suedi duhet të kontrollohet dhe vlerësohet.
Procedurat komplekse të lejeve
Edhe Nabeel Mancheri, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Globale të Industrisë së Tokave të Rralla, një shoqatë jofitimprurëse e kompanive që punojnë me toka të rralla, është i kujdesshëm. "Nga pikëpamja ekonomike, këto nuk janë ende rezerva”, tha Mancheri për DW. "Duhet të bëhen edhe shumë shpime dhe testime. Nuk kemi ende informacion të plotë për cilësinë e xeheve."
Sipas gjeografes Klinger, mund të duhen nga dhjetë deri në 15 vjet që një minierë të bëhet funksionale. "Kjo nuk është vetëm për shkak të lejeve, megjithëse shpesh fajësohen për këtë. Është një arritje monumentale strukturore dhe teknike hapja e një miniere të re," shpjegon ajo.
Në BE ka pengesa të larta në rregullat për nxjerrjen dhe prodhimin e lëndëve të para të rëndësishme. Kompania suedeze e minierave LKAB tani po i bën thirrje BE-së që të përshpejtojë procesin e dhënies së lejeve në funksion të zbulimit të fundit të tokave të rralla.
"Nëse vërtet duam të promovojmë prodhimin miqësor ndaj klimës, duhet të gjejmë mënyra për ta përshpejtuar ndjeshëm këtë proces", shpjegoi drejtori i LKAB, Jan Moström, pas zbulimit të fundit.
I rëndësishëm edhe për lëndët djegëse fosile
Megjithatë, sipas sekretarit të shoqatës Mancheri, fillimi i përdorimit të një miniere është vetëm gjysma e betejës. "Duhet të ndërtoni edhe industrinë e përpunimit," thotë ai, duke iu referuar proceseve komplekse dhe shumë intensive të energjisë së izolimit dhe përpunimit të tokave të rralla.
Sipas ekspertëve, kjo është një pyetje kritike sepse tokat e rralla përdoren edhe në shumë industri ndotëse. "Megjithëse publiku ka theksuar gjithmonë rëndësinë e tokave të rralla për teknologjitë e gjelbra, lëndët e para janë gjithashtu të rëndësishme për rafineritë e naftës dhe aplikimet ushtarako-industriale”, thotë Klinger.
"Aktualisht nuk ka asnjë politikë në BE apo askund tjetër që mbron materialet dhe xehet nga përdorimi nga sektorë të tjerë më pak miqësorë ndaj klimës", sqaron Klinger. As kompania shtetërore suedeze LKAB, e as kompani të tjera të minerave nuk janë të detyruara t'ua shesin prodhimin e tyre kompanive në sektorin e energjisë së rinovueshme.
Klinger: "Kur kompanitë si LKAB kërkojnë që procesi i lejeve të përshpejtohet përballë ndryshimeve klimatike, duhet të ketë rregullore të BE-së që parandalojnë që prodhimi të shkojë në sektorë jo ekologjikë."