1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministrat e jashtëm të BE-së dënojnë falsifikimin e pasaportave të udhëtimit në rastin e vrasjses së një udhëheqësi të Hamasit në Dubai

23 Shkurt 2010

Në qendër të takimit ishin vrasja e një komandanti të Hamasit një muaj më parë në Dubai dhe përdorimi në lidhje me vrasjen i pasaportave evropiane si dhe politika bërthamore e Iranit.

https://p.dw.com/p/M8qU
Fotografi të lëshuara nga policia në Dubai me 11 të dyshuar për vrasjeFotografi: picture alliance/dpa

Jo vetëm shtetasit e prekur të BE-së u tronditën kur emrat e tyre u shfaqën papritur të lidhur me vrasjen e një fuksionari të lartë të Hamasit në Dubai. Edhe shtetet e BE-së e marrin shumë seriozisht incidentin. Bëhet fjalë për 11 pasaporta, gjashtë britanike, tre irlandeze, një franceze dhe një gjermane, të cilat duket se janë përdorur nga një komando vrasësish. Ministri i Jashtëm i Spanjës, njëkohësisht Presidenti i radhës i Këshillit të BE-së, Miguel Angel Moratinos, foli në emër të të gjithë homologëve të tij:

"Ne jemi shumë të shqetësuar që me pasaportat evropiane, dokumente tejet zyrtare, abuzohet në këtë mënyrë."

Mahmoud al Mabhouh Hamas Portrait
Portret i militantit të vrarë të Hamasit Mahmud al-MabhuhFotografi: AP

Dyshohet se pas vrasjes fshihet shërbimi Mosad

Policia në Dubai shprehet thuajse e sigurt se pas vrasjes qëndron shërbimi sekret izraelit, Mosad. Kjo gjë hidhet poshtë nga Izraeli. Vendet e prekura si Britania e Madhe, Irlanda, Franca dhe Gjermania kanë zhvilluar tashmë bisedime me të dërguarit e Izraelit në kryeqyetet e tyre. Në Bruksel qëndroi ministri i Jashtëm izraelit, Avigdor Liebermann, i cili hodhi poshtë sërish çdo përfshirje të vendit të tij. Vizita e Liebermannit me sa duket ishte planifikuar përpara incidentit në Dubai. Pjesa më e madhe e ministrave të jashtëm të BE-së, u shprehën shumë të kujdesshëm për këtë temë, kështu si luksemburgasi Jean Asselborn:

"Përgjegjësit nuk janë identifikuar ende. Ashtu si unë edhe ju e dini, se këtu përmendet shpesh Izraeli. Por pavarësisht se kush është përgjegjës për këtë veprim, ai duhet dënuar, dhe ne në Evropë duhet të kujdesemi për t'i mbrojtur më mirë pasaportat evropiane."

Në deklaratën përfundimtare mungonte ashtu siç pritej çdo referencë për Izraelin. Do të pritet deri në zbardhjen e rastit, u tha. Izraeli siguroi se do të ndihmojë në hetime.

Iran Präsident Mahmoud Ahmadinedschad Flagge
Fotomontazh: Presidenti Ahmadinexhad para flamurit iranianFotografi: Mehr

Irani gjithashtu objekt i këshillimeve të ministrave

Tema e dytë e rëndësishme në takimin e ministrave ishte politika bërthamore e Iranit. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore, ashtu si dhe vetë qeveria iraniane flasin për shtim të aktivitetit për pasurimin e uraniumit në Iran. Evropianët druhen se synimi është prodhimi i një bombe bërthamore. Werner Hoyer, ministër shteti në Ministrinë e Jashtme në Berlin, kërkoi pasoja:

"Unë e theksoj: ne duam si dhe më parë një zgjidhje diplomatike. Ne ndjekim dy rrugë paralele. Jemi vazhdimisht të gatshëm të hyjmë në negociata, t'i çojmë ato përpara. Por ndërkohë gjendemi edhe në një situatë ku durimit po i vjen fundi. Për këtë arsye nuk mund ta pranojmë vazhdimisht pa vepruar qëndrimin refuzues të Iranit."

Megjithatë kjo nuk nënkupton sanksione të njëanshme evropiane. Catherine Ashton, e ngarkuara e BE-së për politikën e jashtme, i sheh sanksionet më shumë si çështje që duhet trajtuar në nivelin e Kombeve të Bashkuara:

"Në diskutim ne ishim të një mendjeje se Këshilli i Sigurimit i OKB-së është vendi më i mirë dhe më i përshtatshëm ku duhet të trajtohet tema Iran."

Por nëse Këshilli i Sigurimit do të vendosë sanksione të tjera, evropianët me siguri do t'i mbështesnin.

Autor: Christoph Hasselbach / Eliana Xhani

Redaktoi: Elert Ajazaj