Miratohet platforma e Nikoliqit për Kosovën
9 Janar 2013Gjatë javëve të fundit është folur për pesë parime kyçe për negociata të cilat duhet të përmbajë rezoluta e re: Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, çdo fazë pozitive e dialogut me Prishtinën duhet të shoqërohet me përparime në integrimin evropian të Serbisë, zgjidhjen e statusit të veriut të Kosovës si dhe garantimi i të drejtave individuale dhe kolektive të serbëve në jug të Ibrit. Platforma ka pasur kritika të shumta nga opozita, por edhe në publik kanë qarkulluar lajme se në lidhje me përmbajtjen e platformës ka mospajtime edhe brenda koalicionit qeverisës. Presidenti serb Tomislav Nikoliq njoftoi para mbledhjes së përbashkët të Qeverisë dhe Presidentit se Serbia nuk mund të fitojë as më pak e as më shumë se ajo çfarë përmban platforma për Kosovën.
Pas platformës fshihen konfliktet e brendshme
Është plotësisht e qartë se platforma ka më së paku të bëjë me Kosovën, vlerëson për DW-në Nebojsha Spaiq, kryeredaktor i i revistës së përjavshme NIN. Platforma është në të vërtetë vetëm një çështje mbi të cilën zhvillohen lojra të ndryshme politike në skenën politike serbe, thotë Spaiq: "Unë mendoj se platforma me statusin e Kosovës, zgjidhjen e çështjes së Kosovës, negociatat e kështu me radhë, nuk ka asnjë lidhje edhe pse ajo do të në ndikojë drejtpërdrejt në to në qoftë se ajo miratohet në një formë konkrete. Megjthatë si po shkojnë gjërat, mund të pritet që kjo formë të jetë aq parimore sa mos të ketë asnjë kuptim. Ne kemi pasur deri tani disa rezoluta dhe platforma për Kosovën dhe ato kanë qenë gjithmonë aq boshe sa nuk kanë pasur asnjë domethënie të vërtetë politike."
Vazhdimi i politikës së mëparshme ndaj Kosovës
Kur lindi ideja për platformën ajo dukej e arsyeshme sepse qeveria paralajmëroi për një politikë të re ndaj Kosovës, thotë për DW-në Dushan Janjiq, drejtor i Forumit për Marrëdhënie Etnike. Megjithatë, nevoja politike për një platformë të re nuk ekziston, sepse doli që qeveria e re është duke ndjekur të njëjtën politikë për Kosovën sikurse qeveria e mëparshme, thekson Janjiq:
"Tani mund të thuhet se kjo rezolutë ka bazat e saj në atë që prej formimit të qeverisë negociatat kanë rrjedhur shumë shpejt. Pra ato kanë hyrë në fazën e takimeve të kryeministrave, janë pranuar oficerët ndërlidhës të cilët do të duhej të hapnin zyrat... Pra, tashmë është hyrë në diçka që quhet dialog politik. Tani unë një rezolutë mund ta shoh të justifikuar vetëm nëse ajo merret si një mundësi që qeveria të dalë përpara Parlamentit dhe të verifikojë atë që ajo ka bërë deri tani lidhur me Kosovën."
Pas krejt kësaj qëndron çështja e negociatave
Platforma është para së gjithash një çështje ku trajtohet tema nëse duhet të vazhdohen bisedimet me Prishtinën apo jo, vlerëson Nebojsha Spaiq: "Ju e shihni se si tani Nikoliqi për shkak se nuk e kanë lejuar të shkojë në Kosovë për Krishtlindjet ortodokse vë në pikëpyetje negociatat. Pra, kjo tregon se kjo nuk është një platformë politike, por thjesht përcaktim politik i Serbisë ndaj negociatave."