Mustafa - Vuçiq takim në Bruksel, Thaçi nuk shkon në Beograd
21 Prill 2015Kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuçiq do të bisedojnë për përparimet në realizimin e Marrëveshjes së Brukselit, të nënshkruar para dy vitesh, dhe do të shqyrtojnë hapat e tjerë që çojnë drejt normalizimit të raporteve Kosovë - Serbi, thuhet në kumtesën e lëshuar nga kabineti i "lehtësueses" së dialogut, përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Frederika Mogherini. Takimi i fundit Mustafa - Vuçiq është mbajtur më 9 shkurt, kur u nënshkrua marrëveshja për organet juridike në veri të Kosovës.
Prioriteti kryesor i takimeve të ardhshme për qeverinë e Serbisë është krijimi i bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Përfaqësuesit e listës "Srpska" në parlamentin e Kosovës, thonë se ata presin marrëveshje për këtë bashkësi të komunave dhe se ata janë të "gatshëm ta realizojnë marrëveshjen". Por duhen trajtuar edhe ngecjet në realizimin e marrëveshjeve dhe përgjegjësitë për mosrealizimin e tyre. Megjithatë në rend dite në takimin e tretë Mustafa - Vuçiq janë temat për energjetikën dhe kodin telefonik të Kosovës.
Bisedimet Vuçiq - Mustafa do të zhvillohen në kuadër të takimit të kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të ashtuquajturës "gjashtëshja ballkanike", të cilët kanë shkuar në Bruksel për të paraqitur planet e tyre infrastrukturore për këtë rajon. Ata do të kërkojnë mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian për realizimin e këtyre projekteve.
Qeveria e Beogradit i "mbetet besnike normalizimit" të raporteve
Përfaqësuesi i Serbisë në dialogun me Kosovën, Marko Gjuriq thotë se qeveria e Serbisë i mbetet "besnike realizimit të marrëveshjeve dhe normalizimit të raporteve Beograd - Prishtinë", duke shtuar se Marrëveshja e Brukselit paraqet themelin e ndryshimeve pozitive drejt një perspektive të raporteve më të mira mes të gjithë popujve në rajon. Gjuriq tha se "Serbia në mënyrë të denjë po i realizon të gjitha marrëveshjet nga dialogu në Bruksel". Ai shpreson se BE-ja do t'i kuptojë interesat e Serbisë dhe të serbëve në Kosovë. "Serbia është e përkushtuar që të realizohet çdo shkronjë e marrëveshjeve. Por kanë mbetur edhe disa kërcënime që e cënojnë realizimin e plotë", tha Gjuriq. Për ngecjet në realizimin e marrëveshjes ai fajëson palën kosovare, e cila po përpiqet që ta "manipulojë dialogun 'neutral' ndaj statusit të Kosovës."
Thaçi nuk shkon në Beograd
Ministri i Jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi nuk do të shkojë në vizitën e planifikuar në Beograd më 24 prill. Në një intervistë për Deutsche Wellen ditë më parë (17.04), ai tha se kjo vizitë, që do të duhej të realizohej me ftesën e një organizate joqeveritare, "do të jetë shans i mirë për një hap tjetër drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë". Por pala serbe ka bërë të ditur se në Serbi ende është në fuqi urdhërarresti ndaj Thaçit, i cili në Serbi është dënuar në mungesë në vitin 2007 me 10 vjet heqje lirie, nën akuzën për "terrorizëm". Zëvendësminsitri i Jashtëm i Kosovës Petrit Selimi tha se ata ende nuk kanë marrë përgjigje zyrtare për këtë vizitë dhe se vizita varet nga kjo përgjigje. Por ndërkohë bëhet e ditur se edhe organizata "Omladinski Odbor za obrazovanje" (Këshilli Rinor për Arsim), ka bërë të ditur se në konferencën "Integrimet Evropiane të Ballkanit Perëndimor - së bashku mundemi më mirë", nuk do të jenë ministrat e jashtëm Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.